Nga “asnjë gjurmë nga tërmeti” te “të gjithë në shtëpi të reja”, herë me afate “brenda pranverës” apo “jo më larg se vjeshta”…
Pak orë larg përkujtimit të tërmetit të 26 nëntorit 2019, rindërtimi do të vijojë ende.
Së fundmi, me rishikimin e buxhetit, qeveria i ka dhënë 2 miliardë lekë të tjera procesit duke e çuar në 9 miliardë lekë në total buxhetin për rindërtimin këtë vit nga 7 miliardë në planifikuara fillimisht.
Sipas përllogaritjeve procesi madje nuk pritet të përmbyllet para vitit 2026. Për dy vitet e ardhshme nga buxheti i shtetit janë planifikuar të shkojnë 4 miliardë lekë të tjera duke e çuar në mbi 103 miliardë lekë fondin për rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019. Kjo shumë tejkalon përllogaritjet edhe Qeverisë së Shqipërisë për “rreth 1 miliardë euro nevoja”.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se nga fillimi i vitit e deri në fund të korrikut, nga buxheti i shtetit kanë dalë 4 miliardë lekë, kryesisht për rindërtimin e pallateve. Kjo shumë është sa 43.3% e buxhetit total të këtij viti.
Të dhënat tregojnë se nga viti 2020 e deri më tani kanë dalë nga buxheti i shtetit rreth 94 miliardë lekë, apo gati 940 milionë euro për rindërtimin dhe pagesat e qirasë për ata që humbën banesat.
Shuma e lartë u detyrua të dalë nga buxheti i shtetit pasi një pjesë e mirë e fondeve të premtuara në “Konferencën e Donatorëve” nuk u arritën të merreshin.
Që nga viti 2020, kur nisi procesi e deri më tani rezulton të jenë rindërtuar në total 2 mijë e 250 banesa individuale dhe 4 mijë e 500 apartamente. Deri në fund të vitit planifikohet të përmbyllen punimet edhe në 105 pallate në ndërtim për të shënjuar kështu fundin e “Rindërtimit pas tërmetit.”
LEXO EDHE: Pyetja 1 milion dollarëshe: “Të bëjmë apo jo sigurim shtëpie nga tërmeti?”