Alteo Hyseni është 16-vjeçari që humbi jetën teksa ishte duke parë një ndeshje basketbolli mes skuadrës Leaders dhe Pogradecit në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, Tiranë.
Ishim duke festuar të gjithë, kur pamë që ai ra pa ndjenja në tokë. Zhurma kur koka ra mbi parketin e fushës u dëgjua nga e gjithë salla.
Ai nuk ishte duke luajtur, kishte një vit që e kishte lënë basketbollin. Që në moshë të vogël ka pasur probleme me zemrën, ndaj u detyrua të mos luante më.
Ikëm të gjithë si ekip në spital, por ishte tepër vonë. Alteo na kishte lënë”, treguan miqtë e tij.
Një ditë pas ngjarjes tragjike, Kombëtarja e Basketbollit ndodhet në Armeni për kualifikueset e Botërorit të koshit. Pikërisht në pallatin e sportit të kryeqytetit armen, Yerevan, 4500 të pranishmit mbajtën njē minutë heshtje për humbjen e 16-vjeçarit.
Lajmin e jep Presidenti i FSHB, Avni Ponari, i cili publikon edhe foto nga Armenia.
“4500 spektatorë mbajtën një minutë heshtje për humbjen e jetës së Alteo Hysenit këtu në Yerevan, Armeni“, shkruan Ponari në rrjetet sociale.
Humbje e pafat në Armeni
Kombëtarja kuqezi e basketbollit për meshkuj ka nisur të dielën pasdite rrugëtimin e saj në grupin C të para-eliminatoreve të Kampionatit Botëror, duke u mundur me rezultatin e ngushtë 79-84 në takimin e parë në fushë të huaj përballë Armenisë.
Në fakt, ndeshja ka qenë e barazpeshuar dhe 10-minutëshi i parë ka qenë i luftuar pikë për pikë dhe është mbyllur në favor të vendasve, me vetëm një pikë epërsi, 24-23. Ai i dyti ka qenë më i mirë për armenët, të cilët e fitojnë atë 24-19 dhe shkojnë kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar 48-42. Por Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj, ka dalë e frymëzuar nga dhomat e zhveshjeve, duke e fituar 10-minutëshin e 3-të, 17-14 dhe duke e shkurtuar në vetëm 3 pikë, 59-62, epërsinë e vendasve pas një gjysmë ore lojë.
Madje në 10-minutëshin e 4-t, kuqezinjtë kanë qenë vetëm dy pikë prapa Armenisë, duke patur disa mundësi për të barazuar shifrat dhe për ta çuar të paktën takimin në shtesë.
Por disa gabime në gjuajtjet për 3 pikë kanë bërë që skuadra vendase të përfitojë dhe ta mbyllë takimin në favor të saj, teksa e fiton 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, 22-20, dhe gjithë ndeshjen me shifrat 84-79, duke marrë edhe fitoren e parë në këtë grup, teksa të enjten ishte mundur nga Austria në fushën e kësaj të fundit.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë katër ndeshje për fazën paraeliminatore të Kupës së Botës, teksa pas përballjes në Armeni, ndeshja e radhës do të jetë më datë 21 nëntor 2024 në shtëpi kundër Austrisë.
Më tej takimi i tretë në grup do të luhet në vitin 2025, teksa më 20 shkurt kuqezinjtë do të kenë një tjetër ndeshje në shtëpi, duke pritur Armeninë.
Ndërsa paraeliminatoret do të mbyllen më 23 shkurt 2025 me transfertën në Austri.