Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, organizoi në ambjentet e Hotel “Mak Albania”, koktejlin e fundvitit, një event që mirëpriti emrat e mirënjohur të fushës së financave dhe sigurimeve në Shqipëri
Mbrëmja u çel nga z. Elvis Ponari, president i shoqatës, i cili në fjalën e tij, ndër të tjera, u shpreh se viti që po lemë pas pati shumë sfida të cilat bënë që fondet e pensioneve dhe investimeve të përshtaten me ndryshimet dhe luhatjet e tregut me synimin primar: mbrojtjen e anëtarëve dhe investimeve të tyre.
“Viti 2022 ka qënë viti i sfidave të mëdha ku gjithë kompanive të tregut ku operojmë, por jo vetëm, u është dashur të përshtaten, të zhvillojnë, të jenë inovatore dhe sigurisht të mbrojnë investitorët, klientët apo anëtarët nga luhatshmëritë e vazhdueshme në treg.
2022 do të mbahet mend si një vit kur investitorët e obligacioneve u detyruan të përshtaten me një mjedis krejtësisht të ndryshuar me interesat e obligacioneve që u rritën në mënyrë të konsiderueshme çka solli disa dinamika që u përballuan me mënyra të ndryshme.
Mjedisi ekonomik goditi fort mbajtësit e obligacioneve gjatë pjesës më të madhe të vitit. Këtu normalisht që flasim për aktorët të cilët mbajnë obligacione për tregtim (banka, fonde investimi).
Normat e interesit priren të ndjekin trendet afatgjatë të rritjes dhe inflacionit. Normat e interesit ishin të qëndrueshme deri në vitin 2021, ndërsa sot, inflacioni më i lartë shpesh rezulton edhe në norma intersi më të larta.
Masat stimuluese agresive në 2020 dhe 2021 si dhe kërkesa në rritje për produkte dhe shërbime gjithashtu dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit kontribuan në një rritje të inflacionit”, tha gjatë fjalës së tij z.Ponari.
Ai kërkoi, që së bashku me institucionet shtetërore, të punohet nxitjen dhe edukimin e qytetarëve për zhvillimin e tregut të jetës, pensioneve dhe fondeve të investimit e mbi të gjitha për ta bërë brezin e ri më të interesuar drejt tyre.
“Është e rëndësishme të gjejmë mënyra kursimi dhe investimi që do mbajnë vlerën e tyre në vitet në vazhdim.
Kursimi dhe planifikimi financiar është i domosdoshëm. Orientimi dhe edukimi i individëve nga profesionistë për të mbrojtur kursimet e tyre shton shumë vlerë në tregun e investimeve afatshkurtra dhe afatgjata”, shtoi z. Elvis Ponari.
Përveç z. Ponari, fjalën e morën edhe z. Eduart Shalsi, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat dhe z. Astrit Hado, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Aktualisht tregu financiar, jo-bankier, si ai i Pensioneve Private ashtu dhe i Investimeve është një treg i ri, por me një mision mjaft të rëndësishëm.
Sot ky treg në Shqipëri numëron mbi 70 mijë të anëtarësuar dhe administron afro 60 miliardë lekë asete ndaj, zhvillimi i këtij tregu edhe në vendin tonë paraqitet si një domosdoshmëri e kohës.
Qëllim i zhvillimit të këtij tregu është ruajtja e standartit të jetesës, që çdo njeri ka arritur nëpërmjet punës, edhe gjatë kohës së moshës së tretë.
Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve është një organizatë jofitimprurëse, e krijuar për mbështetjen e zhvillimit dhe dhënien e kontributit në rritjen e qëndrueshme të sigurimit të jetës, pensioneve private, fondeve të investimeve dhe veprimeve të lidhura me to.
Kjo shoqatë synon të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve të profesionistëve, konsulentëve apo ndërmjetësve të rrjetit, si dhe të krijojë lidhje me shoqata brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të ndarë eksperiencat dhe për të përfituar njohuri që i vlejnë aktivitetit të saj të përditshëm.
“Le të trokasim sot gotat të gjithë së bashku për të uruar një vit të ri më të mbarë, më të suksesshëm dhe me të begatë për të gjithë ne, stafet tona por edhe shqiptarët kudod ndodhen. Gëzuar”.