Në tremujorin e parë të 2025 pritet të emetohen gjithsej rreth 132 miliardë lekë bono thesari dhe obligacione.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në periudhën janar-mars do të emetohen 8.3% më pak tituj qeveritarë se në tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Konkretisht, në muajin janar parashikohet të emetohen gati 52 miliardë lekë tituj qeveritarë, ku bonot e thesarit 12-mujore do të jenë më të shpeshtat dhe në shuma më të larta.
Në kalendarin e emetimeve përcaktohet që në muajin janar do të zhvillohen 2 ankande për bonot e thesarit 12-mujore dhe nga 1 ankand për obligacione reference 3 vjeçare, 5-vjeçare, 10-vjeçare dhe obligacione 2-vjeçare.
Ndërkohë, në treg do të hidhet edhe një instrument i ri afatgjatë i obligacioneve 20-vjeçare, fillimisht si testim.
Ankandi për obligacionet 20-vjeçare është planifikuar që të realizohet në 28 janar me një vlerë prej 1.5 miliardë lekësh, ndërkohë që afati i maturimit do të jetë viti 2045.
Në shkurt, shuma e emetimeve do të jetë më e vogël. Edhe në muajin e dytë, bonot e thesarit 12-mujore do të emetohen 2 herë, ndërkohë që për atë vit hidhen për herë të parë në treg obligacionet 7-vjeçare dhe 15-vjeçare. Për sa i përket marsit, vlera e emetimeve do të jetë 39 miliardë lekë.
Gjatë shkurtit dhe marsit do të ketë gjithashtu disa rihapje të obligacioneve, ndërsa ankandi i dytë për obligacionet 20-vjeçare do të zhvillohet në 19 mars, por kësaj radhe në një shumë më të vogël prej 1 miliardë lekësh.
Në total, përgjatë 12 muajve do të emetohen gjithsej 356 miliardë lekë tituj qeveritarë.
Gjatë 2024, bonot 12-mujore patën një normë interesi prej 3.69% në maj, për të përfunduar me një ulje graduale në 3.01% në tetor të këtij viti.
Ndërsa Obligacionet 2-vjeçare arritën kulmin në 4.29% në maj 2024, ndërsa në tetor 2024 norma e tyre ra në 3.85%. Javën e ardhshme do të zhvillohet ankandi i fundit i këtij viti për bonot e thesarit 12-mujore.