Primet që ajo dhe mbajtësit e tjerë të policave paguajnë krijojnë një fond të përbashkët financiar, të cilin shoqëria e sigurimit e përdor për të mbuluar dëmet dhe kërkesat për dëmshpërblim (claims) kur ndodh një ngjarje e siguruar.
Kur aplikon për sigurim, Zonja Moza ka detyrimin të japë informacion të saktë, në mënyrë që shoqëria e sigurimit të mund të vlerësojë siç duhet rrezikun dhe të llogarisë primin e tij.
Paraqitja e pasaktë ose e rreme e fakteve mund të çojë në anulimin ose pavlefshmërinë e policës, apo në refuzimin e kërkesave për dëmshpërblim. Për më tepër, Zonja Moza duhet t’i paguajë primet në kohë.
Nëse vonohet me pagesën, siguruesi mund të pezullojë mbulimin e sigurimit, duke e lënë atë pa mbrojtje.
Së fundi, zonja Moza duhet të kuptojë mbulimet e policës, përjashtimet, pjesën e zbritshme (deductible) dhe kufijtë e mbulimit, në mënyrë që të dijë se çfarë mbulohet dhe çfarë nuk mbulohet nga polica.
Linda, agjentja e sigurimit
Moza ka marrë kontakt me Lindën, agjenten e sigurimeve. Ajo punon ekskluzivisht për një shoqëri sigurimi, ndaj quhet agjente e lidhur (captive agent).
Ajo e ndihmoi zonjën Moza të kuptonte primin, pjesën e zbritshme dhe kufijtë e mbulimit.
Linda shqyrtoi me zonjën Moza përkufizimet dhe kushtet e marrëveshjes së sigurimit.
Ajo e ndihmoi të kuptonte terminologjinë e sigurimeve dhe mbulimin që ofronte polica e tij.
Linda do të jetë pika e parë e kontaktit e zonjës Moza për çdo nevojë që lidhet me shërbimin.
Ajo do t’u përgjigjet pyetjeve të saj, do ta ndihmojë me rinovimin e policës dhe do ta udhëzojë gjatë procesit të trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim.
Linda do të vazhdojë të jetë e përfshirë gjatë gjithë periudhës që zonja Moza do të jetë pronare e shtëpisë.
Mundësitë e tjera në treg për zonjën Mozën
Në vend që të punonte me Lindën, zonja Moza mund t’i ishte drejtuar Gëzimit, një brokeri sigurimesh.
Duke qenë se Gëzimi nuk ka një marrëdhënie kontraktore me shoqëritë e sigurimit, ai do të punonte për Mozën dhe do të fokusohej ekskluzivisht te interesat e saj.
Gëzimi, si broker, do të kërkonte në tregun e sigurimeve, do të krahasonte policat e kompanive të ndryshme dhe do të gjente atë që i përshtatet më mirë nevojave të Mozës.
Moza ka edhe një mundësi të tretë.
Ajo mund të kishte bashkëpunuar me Julianin, një agjent i pavarur sigurimesh (independent insurance agent).
Ashtu si Gëzimi, Juliani mund të krahasojë policat e kompanive të ndryshme që ajo përfaqëson, për të gjetur atë që i përshtatet më mirë nevojave të Mozës. Megjithatë, Juliani ka marrëdhënie kontraktore me shoqëritë e sigurimit që përfaqëson.
Rregullatorët e tregut, AMF
Në prapaskenë, rregullatorët e sigurimeve funksionojnë njësoj si arbitrat: hartojnë ligje dhe rregullore dhe sigurojnë respektimin e tyre.
Duke monitoruar gjendjen financiare të shoqërive të sigurimit, praktikat e tyre të biznesit dhe mënyrën se si trajtojnë kërkesat për dëmshpërblim, rregullatorët synojnë të garantojnë drejtësinë dhe të mbrojnë mbajtësit e policave, si Moza, nga praktikat joetike.
Këtë rol në Shqipëri e luan Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nën varësinë e Ministrisë së Financave.
Shoqëria e sigurimit
Si aktor të fundit të përfshirë kemi vetë shoqërinë e sigurimit. Për të përcaktuar nivelin e rrezikut ose probabilitetin që të paraqitet një kërkesë për dëmshpërblim, nënshkruesit e sigurimit (underwriters) analizojnë faktorë të tillë si vendndodhja, mosha dhe gjendja e shtëpisë së zonjës Moza.
Bazuar në vlerësimin e rrezikut të kryer nga nënshkruesi, shoqëria e sigurimit nënshkruan dhe strukturon policën e sigurimit (underwriting). Me fjalë të tjera, ajo përcakton kushtet dhe termat e kontratës së sigurimit.
Aktuarët (actuaries) llogarisin primin, pra shumën që Moza do të paguajë për policën e saj.
Siguruesit përpiqen të vendosin në ekuilibër nivelin e rrezikut me një çmim të drejtë dhe konkurrues. Ata duhet të sigurohen se kanë mundësi të mbulojnë dëmshpërblimet e mundshme, duke i mbajtur në të njëjtën kohë primet të përballueshme për klientët.
Nëse zonja Moza pëson një dëm dhe paraqet një kërkesë për dëmshpërblim, departamenti i dëmeve (claims department) do të vlerësojë dëmin, do të përcaktojë shumën e dëmshpërblimit dhe do të sigurohet që kërkesa të trajtohet në mënyrë të shpejtë dhe të drejtë.
Siç kemi parë, sigurimi është një sistem kompleks dhe i ndërlidhur, ku mbajtësit e policave, agjentët dhe brokerët, rregullatorët dhe shoqëritë e sigurimit kanë secili një rol të rëndësishëm në funksionimin e harmonishëm të tij.




