20.5 C
Tirana
Friday, March 29, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetTregu i sigurimeve gjatë 2022, sfidat kryesore për 2023/ Kryetari i Shoqatës...

Tregu i sigurimeve gjatë 2022, sfidat kryesore për 2023/ Kryetari i Shoqatës së Siguruesve: E nevojshme rihapja e diskutimeve për sigurimin e detyrueshëm ndaj katastrofave natyrore

Kompanitë e sigurimit synojnë, që prej vitit 2023, të aplikojnë tarifa të diferencuara për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike.

Në një intervistë për Revistën “Monitor”, kryetari i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë, Klaidi Çitozi, shprehet se tarifat e sigurimit TPL do të vendosen sipas kategorizimit dhe fuqisë motorike të mjeteve.

Sipas tij, objektiv tjetër do të jetë rihapja e diskutimeve trepalëshe mes Shoqatës së Siguruesve, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Kuvendit të Shqipërisë, për implementimin e një skeme për sigurimin e detyrueshëm ndaj katastrofave natyrore.

Risi e rëndësishme në vitin 2023 do të jetë edhe implementimi në kontabilitet i standardit IFRS 17, sipas të cilit, detyrimet që rrjedhin nga kontratat e sigurimit maten me vlerën e tyre aktuale dhe jo atë historike, si dhe konsideron vlerën në kohë të parasë, në vlerësimin e pagesave të ardhshme të dëmeve.

INTERVISTA

Si e vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve në vitin 2022 dhe cilat ishin zhvillimet kryesore?

Tregu i sigurimeve po konsolidohet vit pas viti dhe po shndërrohet në një industri të mirëfilltë, e cila i sjell të mira ekonomisë së vendit, duke rritur punësimet dhe investimet.

Nuk ka qenë e thjeshtë të arrihet deri këtu, pasi vetëm në tre vitet e fundit, tregu ka kaluar shumë situata të papritura. Është e pazakontë që një treg financiar të kalojë tre furtuna radhazi.

Tërmeti ishte testi i parë për kompanitë e sigurimit dhe marrëveshjet e tyre risiguruese. Procesi i trajtimit të dëmeve funksionoi më së miri dhe risiguruesit u përgjigjën në kohë. Pa e marrë veten mirë nga tërmeti, kompanitë u përballën me pandeminë. Nuk ishte një situatë e lehtë, megjithatë tregu nuk u trondit, pasi kishte financa të qëndrueshme.

Përballimi i të gjitha këtyre situatave është një tregues që kemi një treg të mirëkapitalizuar dhe financiarisht të shëndetshëm. Në fund të këtij viti, mund të themi me plot gojën që kaluam me sukses një vit rimëkëmbjeje.

Një rritje prej më shumë se 9% e të gjithë tregut të sigurimeve, në një kohë kur shumë faktorë i kishim jo në favor, është tregues që konsumatori po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë për rëndësinë e shërbimeve që ne ofrojmë.

Në vitin 2022 është vijuar me zbatimin e ligjit të ri, i cili u miratua nga AMF dhe hyri në fuqi në korrik të vitit 2021. Tashmë trajtimi i dëmeve për sigurimin e detyrueshëm është më i qartë si dhe janë zbutur mosmarrëveshjet dhe abuzimet.

Edhe raporti Europian i Aksidenteve ka ndikuar në menaxhimin më të mirë të dëmeve. Të gjitha këto kanë ndikuar që raporti dëme / prime të përmirësohet.

Në fund të vitit 2022 morëm lajmin e mirë që Byroja doli nga statusi i monitorimit në të cilin ndodhej prej më shumë se nëntë vitesh.

Kjo erdhi për shkak të përmirësimit të situatës financiare të kompanive, pagesave të dëmeve pezull nga kompanitë, ndryshimet në ligj që kanë të bëjnë me Fondin e Garancisë, riorganizimin e Byrosë, si dhe administrimin e Kartonit Jeshil.

LEXO EDHE: 20 mln euro dëme në 4 vjet/ Këshilli i Byrove: Kompanitë shqiptare të sigurimeve, të afta të përballojnë çdo dëm jashtë vendit

Si po përballet tregu i sigurimeve me efektet e inflacionit të lartë dhe sa janë ndier, deri tani, efektet në aktivitetin tuaj?

Një sfidë me të cilën u përballëm dhe do të na shoqërojë edhe në vitin 2023 është edhe inflacioni. Kostoja e trajtimit të dëmeve është rritur ndjeshëm, si pasojë e rritjes së çmimit për pjesët e riparimit dhe këmbimit të automjeteve, kostove të ndërtimit dhe e shërbimeve shëndetësore spitalore private.

Pavarësisht kësaj, tregu është përpjekur të gjejë mekanizma, duke ulur kostot e administrimit dhe ndërmjetësimit të policave, dhe po bën të gjitha përpjekjet që kjo kosto të mos transferohet te klienti.

Cilat do të jenë sfidat kryesore për tregun e sigurimeve në vitin 2023?

Viti 2023 fillon me përgatitjet për implementimin në kontabilitet të standartit IFRS 17 në një fazë të ardhshme. Avantazhi kryesor i përdorimit të tij është se do të përdoret i njëjti standard kontabël për të gjitha vendet ku aplikohet IFRS 17.

Kjo do të thotë që kompanitë bëhen të krahasueshme me njëra-tjetrën, dhe po ashtu edhe kontratat e sigurimit. Sipas IFRS 17, detyrimet që rrjedhin nga kontratat e sigurimit maten me vlerën e tyre aktuale dhe jo atë historike, si dhe konsideron vlerën në kohë të parasë në vlerësimin e pagesave të ardhshme të dëmeve.

Aplikimi i IFRS 17 kërkon një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet departamenteve, si dhe një automatizim të sistemeve aktuariale, duke ulur ndjeshëm rrezikun që vjen nga veprimet manuale.

Kompanitë ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë kanë filluar me aplikimin e këtij standardi dhe është vënë re që janë të nevojshme burime njerëzore me aftësi të integruara teknike dhe dixhitale. Implementimi i sistemeve të nevojshme kërkon shumë kohë dhe burime të shtuara financiare.

Përveç sa më lart, ndiejmë që me automatizimin e proceseve në kompani kemi krijuar një databazë shumë të mirë. Tashmë ka ardhur koha që këtë punë ta çojmë edhe më tej, duke dixhitalizuar mënyrën se si qasemi ndaj klientit, jo vetëm në shitjen e policës, por edhe në trajtimin e dëmeve. Në këtë mënyrë shpejtohet procesi i punës, si dhe ulen kostot.

Gjatë punës sonë, kemi vënë re mungesën e burimeve të kualifikuara njerëzore. Për këtë, në vitin 2023, Shoqata do të intensifikojë marrëdhëniet me universitetet në mbarë vendin. Është i domosdoshëm zhvillimi i internshipeve në kompani të ndryshme, sepse njohuritë e marra në sallat e leksioneve nuk mjaftojnë për të përgatitur studentët për tregun e punës.

Si një ndër detyrat që duhet të mbajë parasysh tregu për vitin që vjen, është tarifimi i TPL sipas kategorizimit dhe fuqisë motorike të mjeteve. Është gjëja e duhur për t’u bërë, që secili të paguajë në varësi të automjetit që përdor, pra sa më e vogël fuqia motorike, aq më i ulët dhe primi.

Gjithashtu, konsiderohet e nevojshme rihapja e diskutimeve trepalëshe ndërmjet Shoqatës së Siguruesve, AMF dhe Kuvendit të Shqipërisë, për implementimin e një skeme për sigurimin e detyrueshëm ndaj katastrofave natyrore.

LEXO EDHEE para në Europë dhe e 40-ta në botë/ Shqipëria me “rreth të kuq” për rrezikun nga fatkeqësitë natyrore

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat