Sipas një vlerësimi të Morningstar DBRS, dëmet nga trazirat e fundit në Francë mund t’u kushtojnë kompanive të sigurimit deri në 1.2 miliardë euro. Këtë lajm e sjell portali i specializuar për sigurimet botërore XPRIMM.
Vlerësimi është i klasifikimit financiar Morningstar DBRS.
Megjithëse ndikimi financiar do të jetë i konsiderueshëm për tregun francez të sigurimeve të pronës dhe të dëmeve (P&C), agjencia vlerëson se humbjet janë të përballueshme dhe nuk pritet të ndikojnë ndjeshëm në pozicionet kapitale të kompanive të mëdha të sigurimit.
Trazirat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ambientet tregtare, ndërtesat publike dhe automjetet.
Fatura e dëmshpërblimeve nga sigurimet mund të tejkalojë atë të trazirave të vitit 2023, të cilat, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga France Assureurs, gjeneruan 793 milionë euro dëme të siguruara.
Duke u bazuar në përvojën e vitit 2023, pjesën më të madhe të dëmeve të siguruara pritet ta zënë pretendimet për dëmtimin e pronave tregtare, të ndjekura nga dëmet ndaj pronave bashkiake.
Një ndikim të konsiderueshëm në faturën përfundimtare mund të kenë edhe kërkesat për dëmshpërblim për ndërprerjen e aktivitetit të bizneseve.
Fillimisht, përgjegjësinë për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim do ta mbajnë kompanitë e sigurimit, por një pjesë e humbjeve mund t’u transferohet në fund risiguruesve ose të rikuperohet nga shteti francez.
Sipas nenit L.211-10 të Kodit Francez të Sigurisë së Brendshme, shteti mund të mbajë përgjegjësi për disa kategori dëmesh që shkaktohen nga trazirat e dhunshme kolektive. Megjithatë, mundësia e rikuperimit të këtyre kostove varet nga rrethanat konkrete dhe plotësimi i kushteve ligjore përkatëse.
Ngjarjet e fundit kanë nxjerrë gjithashtu në pah problemin e boshllëqeve në mbulimin me sigurim. Në varësi të kushteve të kontratës, dëmet që vijnë nga plaçkitjet, vandalizmi apo ndërprerja e aktivitetit tregtar mund të përjashtohen nga mbulimi ose t’u nënshtrohen kufizimeve të caktuara.
Ndërkohë, Franca po zhvillon një skemë të re të sigurimit të detyrueshëm kundër trazirave, e mbështetur nga një mekanizëm risigurimi me garanci shtetërore, përmes institucionit Caisse Centrale de Réassurance (CCR).
Skema e propozuar parashikon një garanci qeveritare deri në 4 miliardë euro, por zbatimi i saj mbetet i kushtëzuar nga përmbushja e kërkesave rregullatore, përfshirë miratimin e Bashkimit Evropian për ndihmën shtetërore.
Sipas Morningstar DBRS, rritja e shpeshtësisë dhe intensitetit të trazirave civile po e kthen rrezikun e dëmeve nga këto ngjarje në një faktor gjithnjë e më të rëndësishëm për kompanitë e sigurimit, risiguruesit dhe politikëbërësit.




