Aksidenti tragjik i regjistruar në Durrës, ku një këmbësor humbi jetën, është nën hetim nga organet kompetente, të cilat do të përcaktojnë shkaqet e ngjarjes dhe përgjegjësinë ligjore.
Sigurime.online nuk përcakton fajësi dhe nuk paragjykon rezultatin e hetimeve.
Vlerësimi i përgjegjësisë është kompetencë ekskluzive e Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave, sipas rastit.
Megjithatë, me qëllim informimin e qytetarëve, sqarojmë se nëse nga hetimet rezulton se drejtuesi i mjetit mban përgjegjësi për aksidentin, atëherë aktivizohet e drejta ligjore e trashëgimtarëve të viktimës për të kërkuar dëmshpërblim nga sigurimi i detyrueshëm motorik (TPL), sipas parashikimeve të Ligjit nr. 32/2021 dhe rregullores përkatëse.
Neni 15 i Rregullores së AMF
Përllogaritja e dëmit ndaj personit me pasojë vdekje
1. Bazuar në pikën 3, germa b), të nenit 25, të Ligjit 32/2021, në rastet e dëmeve me pasojë vdekje, dëmi pasuror do të llogaritet si në rastin e paaftësisë së plotë të përhershme me ndryshimin që nga të ardhurat sipas nenit 14 të kësaj rregulloreje, të zbriten të ardhurat për nevojat e vetë personit, të cilat varen nga numri i personave në familje. Përllogaritja e dëmit ndaj personit me pasojë vdekje bëhet sipas kësaj formule:
𝐃 = (𝐓𝐚𝐩 − 𝐊𝐚𝐯𝐧𝐩 ∙ 𝐓𝐚𝐩)𝐊𝐒𝐡𝐤 ∙ 𝐊𝐦𝐝𝐩
ku:
𝐃 Dëmshpërblimi
𝐓𝐚𝐩– Të ardhurat personale vjetore
𝐊𝐚𝐯𝐧𝐩 – Koeficienti i të ardhurave për vetë nevojat e personit
𝐊𝐒𝐡𝐤 – Koeficienti i shumës së kapitalizuar
𝐊𝐦𝐝𝐩 – Koeficienti i moshës së daljes në pension
2. Të ardhurat personale, koeficienti i shumës së kapitalizuar dhe koeficienti i moshës së daljes në pension janë të njëjta me përcaktimet e dhëna në nenin 14, të kësaj rregulloreje.
3. Përqindja e të ardhurave për nevojat e vetë personit ( 𝑲𝒂𝒗𝒏𝒑 ) do të jetë si më poshtë:
a) Kur i ndjeri ka patur në familje tre ose më shumë se tre persona (pa të ndjerin) pjesa që do të zbritet është 30% e të ardhurave;
b) Kur i ndjeri ka patur në familje dy persona (pa të ndjerin) pjesa që do të zbritet është 40% e të ardhurave;
c) Kur i ndjeri ka patur në familje një person (pa të ndjerin) pjesa që do të zbritet është 50% e të ardhurave.
4. Kur i ndjeri është nën moshën 16 vjeç, trashëgimtarët e tij do të dëmshpërblehen në shumën fikse prej 2,500,000 lekë.
5. Në se trashëgimtarët e të ndjerit janë të mitur, dëmshpërblimi do të depozitohet në emër të tyre në një bankë të nivelit të dytë, e cila operon në Republikën e Shqipërisë.
6. Në vlerën e dëmshpërblimit me pasojë vdekje do të shtohen edhe shpenzimet e varrimit në shumën fikse prej 300,000 lekë.
7. Në se i ndjeri ka qenë i vetëm në familje do të paguhen vetëm shpenzimet e varrimit. Këto shpenzime i paguhen subjektit që ka kryer shërbimet funerale ose shtetit
Në rastet e humbjes së jetës, legjislacioni shqiptar parashikon kompensimin e dëmit pasuror dhe, sipas kushteve të ligjit, edhe të dëmeve jopasurore, ndërsa për procedurën e dëmshpërblimit kërkohet dokumentacioni i përcaktuar në rregullore, si certifikata e vdekjes, akti i trashëgimisë dhe dokumente të tjera përkatëse.
Gjithashtu, rregullorja parashikon mbulimin e shpenzimeve të varrimit në masën fikse të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi.
Ky informacion ka vetëm karakter informues dhe ilustrues, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi të drejtat që burojnë nga sigurimi i detyrueshëm motorik. Çdo e drejtë për dëmshpërblim lind dhe ushtrohet vetëm pasi përgjegjësia të jetë përcaktuar sipas procedurave ligjore nga organet kompetente.




