Çfarë do të ndodhte me dëmet ndaj njerëzve, banesave dhe bizneseve përreth, nëse shpërthimi në kryqëzimin e Brrylit do të kishte përmasa më të mëdha?
Deri më tani raportohen tre punonjës të lënduar, jashtë rrezikut për jetën dhe dëme të shumta materiale brenda biznesit.
Ligji parashikon një detyrim të qartë për raste të tilla.
Sipas pikës 4 të nenit 9 të ligjit nr. 32/2016, “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve nën presion”, operatorët ekonomikë që kanë në pronësi ose administrojnë pajisje dhe instalime nën presion duhet të kenë sigurim të përgjegjësisë civile.
Ky sigurim është produkt i mëvetshëm në kompanitë e sigurimeve.
Sigurimi, për kompanitë, duhet të jetë i vlefshëm gjatë gjithë periudhës së përdorimit të pajisjes ose instalimit dhe shërben për të mbuluar dëmet që mund t’u shkaktohen mjedisit, jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.
Ligji i konsideron “pajisje nën presion” pajisjet stacionare, enët e thjeshta dhe pajisjet transportuese nën presion, me presion të lejuar mbi 0.5 bar.
Në këtë kuptim, edhe pikat e tregtimit të karburanteve janë subjekt i këtij detyrimi ligjor.
Sipas VKM nr. 268/2024, që përcakton kategoritë e operatorëve ekonomikë që kanë në pronësi ose administrojnë pajisje apo instalime nën presion, pikat e tregtimit të karburanteve duhet të kenë kontratë sigurimi të përgjegjësisë civile.
Sipas shtojcës 1 të këtij vendimi, pikat hidrokarbure klasifikohen me rrezik shumë të lartë.
Për këtë kategori, kufiri minimal i përgjegjësisë që duhet të mbulohet nga sigurimi është:
- 50 milionë lekë për çdo ngjarje sigurimi;
- 100 milionë lekë në total gjatë një viti.
Nëse një aksident i tillë do të shkaktonte dëme të konsiderueshme te qytetarët, banesat apo pronat përreth, ekziston një mekanizëm sigurimi i detyrueshëm që parashikon mbulimin e tyre, brenda limiteve të përcaktuara nga ligji dhe kontrata e sigurimit.
Kontrata e sigurimit të detyrueshëm
“Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë” është marrëveshja ndërmjet operatorit ekonomik dhe një shoqërie sigurimi, për mbulimin e dëmeve ndaj jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, që mund të shkaktohen nga pajisjet ose instalimet nën presion.
Çmimi për këtë sigurim të detyrueshëm ligjërisht fillon nga 50 mijë lekë në vit, me limitet e mbulimit të përcaktuara nga ligji.
Sigurisht këtu nënlimitet e mbulimit ndryshojnë në varësi të vëllimit të kapaciteteve, ku si kufi shërben vëllimi 3000 m3. Nën depozita 3000 m2 çmimi i sigurimit dhe limiti i mbulimit është ndjeshëm më i ulët.
Megjithatë, nisur nga rastet e tjera në botë, një karburant me vendodhje në mesin e një qendre të banuar, për shkak të riskut të lartë të përqëndruar, do të kishte një çmim shumë të lartë të marrjes në sigurim.
Një tjetër element i rëndësishëm në këtë aspekt lidhet me kontrollin institucional. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), përmes Drejtorisë së Inspektimit të Pajisjeve nën Presion (DIPNP) është institucioni përgjegjës për kontrollet në drejtim të përmbushjeve të detyrimeve ligjore në këtë fushë. Sipas raportimeve publike për 15 gjoba të vendosura gjatë shtatë muajve të parë të vitit, nuk raportohet ndonjë parregullsi apo udhëzim i lidhur me këto pika karburanti për sa i përket përmbushjes së detyrimit ligjor për sigurimin e përgjegjësisë civile.
Rasti i Brrylit tregon se sigurimi i detyrueshëm nuk është thjesht një formalitet. Ai është një mekanizëm për të garantuar që, në rast të një aksidenti me pasoja për njerëzit apo pronën, të ekzistojë një burim financiar për kompensimin e dëmeve. Nëse karburanti e ka të siguruar përgjegjësinë ndaj të tretëve, dëmet ndaj të tretëve do të paguhen nga kompania siguruese.




