Një shpërthim lënde eksplozive, e dyshuar si tritol, zuri kryelajmet e kronikave të ditës së sotme.
Planet filmike pasqyronin një automjet luksoz të dëmtuar nga shpërthimi.
Nëse automjeti do të kishte sigurimin KASKO, a do të mbuloheshin dëmet e shumta materiale nga sigurimi vullnetar i automjetit?
Në parim, dëmi mund të mbulohet, por varet nga klasifikimi i ngjarjes dhe nga përjashtimet e kontratës.
Për këtë merr peshë raporti policor e veçanërisht dosja hetimore nga prokurori, duke qenë rast penal.
Pika vendimtare është dallimi midis një akti keqdashës të kryer nga persona të tretë dhe një akti terrorist, sabotazhi apo një ngjarjeje tjetër të përjashtuar shprehimisht.
Nëse raporti policor/hetimor do ta klasifikojë si akt keqdashës dhe i dëmtuari nuk do të paraqesë dijeni për këtë ngjarje, apo për rrezikun që kjo ngjarje të ndodhte, zakonisht në kontratat e sigurimit KASKO ekziston hapësira e përfitimit të dëmshpërblimit nga aktet keqdashëse.
Aktet keqdashëse në policat e sigurimit KASKO, përfshijnë dëmet e shkaktuara nga persona të tretë, me qëllim dëmtimin ose shkatërrimin e mjetit, përfshirë shprehimisht përdorimin e eksplozivit të qëllimshëm.
Te përjashtimet përfshihen rastet kur dëmi shkaktohet nga vetë i siguruari, përfituesi ose persona të udhëzuar prej tyre.
Te përjashtimet e përgjithshme përjashtohen shprehimisht edhe dëmet që shkaktohen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga aktet terroriste, trazirat, grevat dhe sabotimi, krahas rreziqeve të tjera të renditura në këtë dispozitë.
Këto dy dispozita duhen lexuar së bashku.
Fakti që tritoli është përdorur nga persona të tretë nuk mjafton, vetvetiu, për të garantuar dëmshpërblimin.
Nëse ngjarja klasifikohet si akt dashakeqës, i dëmtuari nuk paraqet asnjë dijeni paraprake për këtë rrezik dhe asnjë lidhje me keqdashësit, sigurimi KASKO aktivizohet dhe ofron mbulim në rast se të gjitha kushtet e tjera të kontratës janë të vlefshme.
Sigurime.Online nuk merr përsipër interpretimin final, verdiktin e vendimmarrjes, ai bën vetëm interpretim paraprak në lidhje me sigurimin, me efekt ilustrimin.




