23.4 C
Tirana
Thursday, November 12, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSekretari i Përgjithshëm i FIBA për mediat vendase: Nxisim miratimin e ligjit...

Sekretari i Përgjithshëm i FIBA për mediat vendase: Nxisim miratimin e ligjit për sponsorizimet në sport

Intervista ekskluzive e Andreas Zegklasis, sekretarit të Përgjithshëm të FIBA: Do t’i sugjeroj qeverisë miratimin e ligjit të sponsorizimit në sport

Z. Zegkalis, mirë se erdhët. A ka një domethënie vizita juaj e sotme, si zyrtari më i lartë i basketbollit botëror që viziton Shqipërinë?

Kjo vizitë është më shumë sesa simbolike.

Është kënaqësi të jem këtu. Kjo është një mundësi e madhe për të punuar së bashku me Federatën Shqiptare të Basketbollit, së pari për të shprehur mirënjohjen tonë për aktivitetet e shumta të FIBA-s dhe FIBA Evropës që ajo organizoi gjatë vitit të kaluar, dhe më pas për t’u ulur e për të reflektuar së bashku me z. Ponari dhe ekipin e tij se si mund ta zhvillojmë më tej basketbollin në Shqipëri.

Jam kurioz për dokumentin autentik që i dhuruat z. Ponari, presidentit të federatës sonë në takim. Çfarë simbolizon?

Pas pak muajsh, do të shënojmë 80-vjetorin e anëtarësimit të Federatës suaj në FIBA. Ne dëshironim ta përkujtonim këtë përvjetor me një kujtim të çmuar nga arkivi ynë: një dokument që i përket shkëmbimit të vitit 1947 mes FIBA-s dhe autoriteteve shqiptare të asaj kohe.

Si e vlerësoni angazhimin e federates sonë, që po duket gjithnjë e më pjesëmarrëse me organizimet e garave europiane të FIBA?

Ne shohim përmirësime si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së lojës. Jashtë saj, shohim një federatë që bëhet çdo vit e më mirëorganizuar dhe që është në gjendje të marrë përsipër organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare. Organizimi i Kampionatit Evropian U18 nuk është i lehtë, pasi përfshin shumë skuadra dhe kërkon standarde të larta në organizim, si dhe përmbushjen e nevojave të lojtarëve dhe ekipeve kombëtare.

Sa i përket fushës së lojës, për ne një rol të madh luajnë vazhdimësia dhe qëndrueshmëria. Kombëtarja shqiptare është e pranishme në aktivitetet ndërkombëtare, është e organizuar dhe bën përpjekje të mëdha për të zbuluar talente, për t’i zhvilluar ata dhe për të konkurruar çdo vit në nivele të larta.

A keni një qëdrim tuajin për faktin se ende në Shqipëri nuk ka një ligj të sponsorizimit në sport?

Kam vetëm një kërkesë dashamirëse dhe të respektueshme: që qeveria t’u hapë rrugën federatave kombëtare, veçanërisht federatave të sporteve kolektive si e jona, të cilat kanë një ndikim të madh shoqëror dhe prekin jetën e mijëra familjeve dhe fëmijëve në vend. Ato duhet të kenë mundësi të përfitojnë nga financimi i bizneseve, ndërsa këto financime të njihen si shpenzime të zbritshme nga taksat për kompanitë që mbështesin këtë ndikim pozitiv në shoqëri.

Është shumë e thjeshtë: basketbolli i kthen shoqërisë shumë më tepër sesa merr, përmes vlerave që përcjell dhe kontributit në shëndetin e njerëzve, që nga moshat më të vogla deri te të moshuarit. Prandaj, besojmë se kjo është një kërkesë e drejtë, të cilën e kemi parashtruar prej kohësh dhe që do të jetë pjesë e bisedimeve të mia me përfaqësuesit e qeverisë.

Çfarë mekanizmash të tjerë mund të ndihmojnë në zhvillimin infrastrukturor të basketbollit në Shqipëri? Dëgjojmë shpesh për termin “standarde ndërkombëtare” të infrastrukturës sportive, në terma më praktikë, si duhet kuptuar kjo?

Në të gjithë Evropën, në të gjitha nivelet e 50 federatave kombëtare anëtare të FIBA-s në Evropë, ne shohim një rritje të madhe të investimeve në infrastrukturën sportive. Këto investime vijnë nga bashkitë, rajonet, qeveritë qendrore ose nga bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat. Në disa raste, qeveria vë në dispozicion tokën, ndërsa investitori privat realizon projektin.

Federata jonë ka njohuritë dhe përvojën për të ndihmuar në këtë proces. Edhe FIBA ka ekspertizën e nevojshme për të ndihmuar në ndërtimin e ambienteve sportive sipas standardeve të duhura.

Për ne, përparësia është që fëmijët të kenë mjaftueshëm palestra ku të luajnë. E di se në Tiranë kërkesa është më e madhe sesa mundësitë që ofron infrastruktura aktuale. Nuk ka mjaftueshëm palestra për të përballuar numrin e madh të fëmijëve që duan të luajnë basketboll.

Nga ana tjetër, na nevojitet të paktën një arenë e madhe, e ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare. Kur them e madhe, nuk nënkuptoj një stadium me 40 mijë vende. Nënkuptoj një palestër ku mund të organizohen aktivitete ndërkombëtare të FIBA-s dhe ku Shqipëria të mund të presë ekipe nga Evropa dhe nga e gjithë bota.

Ne i kushtojmë shumë rëndësi përvojës së sportistëve. Kërkojmë ambiente që ofrojnë dhoma zhveshjeje të mjaftueshme dhe një fushë loje të shkëlqyer. Po aq rëndësi ka edhe përvoja e spektatorëve. Preferojmë arena ku tifozët janë pranë fushës, sepse basketbolli është një sport që krijon një atmosferë të veçantë dhe u mundëson tifozëve ta përjetojnë nga afër aksionin.

Nuk është e nevojshme që një arenë e tillë të ketë 40 apo 50 mijë vende. Mendoj se një kapacitet prej 7–8 mijë vendesh do të ishte ideal për qendrën e Tiranës. Shpresojmë që një projekt i tillë të miratohet dhe të ndërtohet këtu.

Në futboll patëm rastin të shihnim një finale të Ligës së Evropës për klube. A do të jetë e mundur që ndonjëherë këtë kënaqësi ta marrim edhe në basketboll?

Nuk kam asnjë dyshim se Shqipëria mund të organizojë aktivitete të shumta ndërkombëtare edhe me infrastrukturën aktuale. Ajo që ne e quajmë “software”, pra njerëzit, është tashmë këtu. Na mungon vetëm “hardware”, infrastruktura e nevojshme.

Njohuritë, pasioni i njerëzve, lidershipi i Federatës dhe komuniteti i basketbollit janë të gjitha të pranishme. Shqipëria është gati të na mirëpresë. Ajo që mungon është infrastruktura për të kaluar në një nivel tjetër të organizimit të aktiviteteve sportive. Ju siguroj se FIBA do të jetë në krah të Federatës për organizimin e këtyre aktiviteteve, sapo të krijohen kushtet e nevojshme infrastrukturore.

Një mesazh për grupmoshat e reja që duan zgjedhin basketbollin si sportin e jetës

Familja dhe shkolla janë, sigurisht, përparësitë tona. Megjithatë, e kam të vështirë të gjej një përvojë më të bukur sesa të rritesh së bashku me miqtë, të luash në një fushë basketbolli dhe të fitosh si ekip. Vlerat e basketbollit, gëzimi që vjen nga bashkëpunimi, puna në grup dhe djersitja për fanellën që mban veshur janë të jashtëzakonshme.

Dhe, sigurisht, ëndrra për të veshur një ditë fanellën e kuqe të Kombëtares shqiptare është diçka që, besoj fort, mund t’i frymëzojë të rinjtë të përjetojnë momente të mëdha në basketboll.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat