Ky artikull u përshtat për shqip nga Sigurime.Online, autorësia mbetet e autores Nina Seega, botuar sot, më 28.10.2026, në Reuters.com: https://www.reuters.com/sustainability/sustainable-finance-reporting/insurers-are-raising-alarm-growing-climate-risk-we-need-listen–ecmii-2026-10-28/
PARLAJMËRIMI I REUTEURS
Debati nëse rreziku klimatik përbën një faktor material me pasoja ekonomike ka marrë fund. Provat janë tashmë të dukshme në tregjet e sigurimeve në mbarë botën, nga Kalifornia, e goditur nga zjarret masive, deri te qytetet dhe zonat e Mbretërisë së Bashkuar të ekspozuara ndaj përmbytjeve.
Gjithashtu, ka gjithnjë e më pak dyshime se pasojat e këtij fenomeni mund të shtrihen përtej sektorit të sigurimeve, duke prekur kreditimin, investimet dhe stabilitetin ekonomik. Ajo që nevojitet tani është një diskutim i sinqertë mbi mënyrën se si këto sinjale identifikohen, komunikohen dhe shndërrohen në veprime konkrete në të gjithë sistemin financiar, në institucionet qeveritare dhe në shoqëri.
Përmasat e problemit janë të konsiderueshme. Sipas vlerësimeve të Swiss Re, hendeku global i mbrojtjes nga rreziqet, i cili përfaqëson diferencën ndërmjet humbjeve ekonomike të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe humbjeve të mbuluara nga sigurimet, arriti në 424 miliardë dollarë në vitin 2025.
Kur kompanitë e sigurimeve tërhiqen nga tregjet, pasojat përhapen në zinxhir. Institucionet kredidhënëse nuk mund të japin kredi hipotekore mbi pasuri të paluajtshme të pasiguruara, vlera e pronave bie, investimet tkurren dhe financat vendore përballen me presione gjithnjë e më të mëdha.
Një pjesë e madhe e debatit publik përqendrohet te rritja e primeve të sigurimit dhe kufizimi i mbulimit me sigurim. Pakënaqësia e qytetarëve është e kuptueshme. Megjithatë, duhet të bëjmë kujdes që përballueshmërinë e primeve të sigurimit të mos e ngatërrojmë me qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve. Sigurimi mund të mbetet artificialisht i përballueshëm për një periudhë të caktuar, por kjo nuk e bën më pak real rrezikun themelor. Nënvlerësimi ose fshehja e sinjaleve të rrezikut i lë familjet, tregjet dhe politikëbërësit më pak të përgatitur për atë që i pret.
Kjo nuk nënkupton pranimin e një të ardhmeje në të cilën individët më të ekspozuar ndaj rreziqeve përjashtohen nga tregu i sigurimeve për shkak të kostove të papërballueshme. Përkundrazi, kjo kërkon administrimin e përbashkët të tensioneve dhe sfidave me të cilat përballet industria.
Zgjidhjet ekzistojnë tashmë. Flood Re, një nismë e përbashkët e qeverisë britanike dhe kompanive të sigurimeve për bashkimin dhe shpërndarjen e rreziqeve të përmbytjeve, përbën një shembull. Një tjetër model është sigurimi i mbështetur nga shteti, siç ndodh në Francë. Asnjëra prej këtyre zgjidhjeve nuk është e përsosur, por ka një vlerë të konsiderueshme në studimin e përvojave të zbatuara në vende të ndryshme, në vend që çdo treg të detyrohet t’i ndërtojë mekanizmat nga e para.
Edhe modelet klimatike kanë kufizimet dhe pasaktësitë e tyre, por ato janë të pazëvendësueshme. Vendimmarrja bëhet më e dobët kur rreziqet nënvlerësohen ose shpërfillen. Një aspekt veçanërisht shqetësues i memorandumit të fundit Inside Track, që trajton rolin e industrisë së sigurimeve në përballjen me krizën klimatike, ishte pretendimi se «modeluesve të katastrofave natyrore dhe aktuarëve po u kërkohet të reduktojnë artificialisht parashikimet e ardhshme ose të ulin shifrat, me qëllim shmangien e alarmit dhe ruajtjen e mundësive për të lidhur marrëveshje tregtare».
Memorandumi, i hartuar nga një grup profesionistësh të nivelit të lartë nga sektorët e sigurimeve dhe risigurimeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë, sugjeron se disa ekspertë po përballen me presion për të minimizuar vlerësimet e rreziqeve të ardhshme. Kjo ngre pikëpyetje të rëndësishme mbi mënyrën se si rreziqet klimatike vlerësohen dhe komunikohen.
Ky zhvillim është shqetësues. Në kushtet kur pasojat fizike të ndryshimeve klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme, një vlerësim realist, i mbështetur në teknologjinë më të përparuar dhe ekspertizën më të mirë të disponueshme, përbën të vetmen rrugë përpara. Duhet të garantojmë që këto modele të jenë të kalibruara siç duhet, të përfshijnë projeksionet klimatike dhe të mos përshtaten në mënyrë arbitrare për të prodhuar rezultate artificialisht më të ulëta. Pasiguria duhet të nxisë analiza më të thelluara, jo supozime më komode.
Industria e sigurimeve ka një ekspertizë të jashtëzakonshme në identifikimin e rreziqeve. Ajo që historikisht e ka pasur më të vështirë është komunikimi i këtyre sinjaleve në një formë të tillë që ato të ndikojnë në mënyrën se si planifikojmë, ndërtojmë, investojmë dhe japim kredi.
Pikërisht këtë boshllëk synon të adresojë Qendra për Financat e Qëndrueshme e Universitetit të Kembrixhit, përmes instrumentit ClimateWise Insurability Readiness Matrix (Matrica e Gatishmërisë për Sigurueshmërinë). Ky instrument u ofron kompanive të sigurimeve, institucioneve financiare, zhvilluesve të projekteve dhe politikëbërësve një gjuhë të përbashkët për të vlerësuar se sa pranë pragut të pasigurueshmërisë ndodhet një aset, territor apo sektor, si dhe çfarë masash nevojiten për të parandaluar kalimin e këtij pragu.
Matrica shqyrton shtatë komponentë, duke filluar nga të dhënat dhe modelimi i rreziqeve, deri te qëndrueshmëria fizike, përputhshmëria me politikat publike dhe mekanizmat e rimëkëmbjes. Secilit komponent i caktohet një vlerësim sipas sistemit të semaforit, një tregues i tendencës dhe rrugët e mundshme për përmirësim. Nëse përdoret në mënyrën e duhur, ky instrument mund ta ndihmojë industrinë të ruajë praninë e saj edhe në tregjet nën presion, duke vijuar të përmbushë funksionin e saj thelbësor: identifikimin, vlerësimin dhe administrimin e rrezikut.
Të dhënat e para dëshmojnë se përse vazhdimësia e këtij angazhimi është e rëndësishme.
Në Lagos të Nigerisë, një prej qyteteve më të mëdha të Afrikës, vënia në dispozicion e të dhënave publike mbi përmbytjet u ka mundësuar kompanive të sigurimeve të ulin primet teknike dhe qytetit të prezantojë produktin e parë të sigurimit parametrik kundër përmbytjeve. Ky produkt parashikon pagesën automatike të dëmshpërblimit sapo të arrihet një prag i paracaktuar, i lidhur me përmbytjet.
Në Paradise të Kalifornisë, ku zjarri masiv i vitit 2018, i njohur si Camp Fire, shkaktoi 85 viktima dhe shkatërroi më shumë se 18 mijë struktura, kompanitë e sigurimeve kanë filluar të mbështesin proceset e rindërtimit të lidhura me standardin Wildfire Prepared Home të Institutit të Sigurimeve për Sigurinë e Bizneseve dhe Banesave (IBHS). Ky standard synon të garantojë që banesat të jenë më rezistente ndaj zjarreve masive.
Në Kili, një skemë lehtësish fiskale për sigurimin dhe përshtatjen e banesave ndaj rreziqeve ka ndihmuar në rritjen e depërtimit të sigurimeve në familje nga 45% në 65%. Në secilin prej këtyre rasteve, ndërhyrja në një komponent të caktuar ka mundësuar përparim edhe në komponentët e tjerë.
E njëjta logjikë zbatohet edhe për sektorin financiar në tërësi. Për këtë arsye, merr rëndësi të veçantë puna mbi konceptin e njohur si resilience-adjusted credit risk (rreziku i kredisë i përshtatur sipas qëndrueshmërisë ndaj rreziqeve klimatike).
Ideja është që kompanitë dhe individët që investojnë në mbrojtjen nga përmbytjet, rritjen e rezistencës ndaj zjarreve apo masa të tjera që reduktojnë ekspozimin ndaj rreziqeve fizike, të shpërblehen përmes kushteve më të favorshme të huamarrjes.
Kjo kërkon që industria e sigurimeve të marrë rol udhëheqës dhe të bashkëpunojë me sektorët e tjerë financiarë, bizneset dhe qeveritë për të kuptuar dhe përballuar rreziqet që lidhen me klimën dhe natyrën.
Kompanitë e sigurimeve duhet të kenë një rol aktiv në dialogët ndërsektorialë, forumet e politikëbërjes dhe diskutimet mbi politikat klimatike, jo si vëzhguese pasive, por si aktorë thelbësorë në vlerësimin e rreziqeve dhe në ofrimin e zgjidhjeve.
Ato disponojnë disa prej bazave më të rëndësishme të të dhënave mbi rreziqet fizike. Kjo ekspertizë ka vlerën më të madhe kur përdoret për të orientuar standardet e ndërtimit, planifikimin e përdorimit të tokës, kriteret e kreditimit dhe vendimet e investimit, përpara se tregjet të arrijnë në pikën e tërheqjes së kompanive të sigurimeve.
Sinjalet janë tashmë të dukshme. Zgjedhja që kemi përpara është nëse do t’i lexojmë ato me ndershmëri dhe do të veprojmë në mënyrë të koordinuar, ndërkohë që kemi ende kohë për të ndërhyrë.




