13.5 C
Tirana
Tuesday, October 13, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetReforma e pensioneve: Shqipëria drejt ndryshimeve të reja

Reforma e pensioneve: Shqipëria drejt ndryshimeve të reja

Sistemi shqiptar i pensioneve, i reformuar në vitin 2014, po rishikohet për shkak të sfidave që po sjellin zhvillimet demografike. Rënia e lindshmërisë, plakja e popullsisë dhe ndryshimi i raportit mes kontribuesve dhe pensionistëve po shtojnë presionin mbi qëndrueshmërinë e tij.

Një nga çështjet kryesore që pritet të rishikohet është mosha e daljes në pension. Reforma e vitit 2014 parashikonte që mosha 67 vjeç të arrihej gradualisht për të dyja gjinitë në vitin 2056.

Ndryshime priten edhe në indeksimin e pensioneve, ku rritja synohet të jetë më e diferencuar. Pensionet më të ulëta pritet të marrin rritje më të madhe, ndërsa për pensionet më të larta rritja do të jetë më e moderuar.

Në diskutim është edhe periudha kontributive, me synimin për ta afruar më tej sistemin shqiptar me modelet europiane.

Për këto ndryshime, qeveria po punon me institucionet ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Drafti pritet të publikohet në fund të vjeshtës dhe të hidhet në konsultim publik në fillim të vitit 2027, përpara se të vijojë me procedurat parlamentare.

Por pyetja kryesore mbetet: A do të mjaftojnë këto ndryshime për të garantuar pensione të qëndrueshme dhe dinjitoze për brezat e ardhshëm?

Në këtë kontekst, pensionet private marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe si një mënyrë për të plotësuar të ardhurat që individi mund të marrë nga pensioni publik.

Në një realitet ku jetëgjatësia rritet dhe struktura e popullsisë ndryshon, planifikimi për pensionin nuk mund të nisë vetëm pak vite para daljes në pension. Kursimi dhe investimi afatgjatë mund të jenë pjesë e një qasjeje më të gjerë për të ndërtuar sigurinë financiare të së ardhmes.

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat