19.8 C
Tirana
Tuesday, October 13, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPërse nuk duhet kursyer te çmimi i "sigurimit të kolateralit"

Përse nuk duhet kursyer te çmimi i “sigurimit të kolateralit”

Në zhargon shpesh i kemi quajtur si “sigurimi i kredisë” dhe “sigurimi i kolateralit të bankës”. Çdo shqiptar që ka kërkuar financim në bankë, thënë ndryshe: kredi, është njohur me këto dy produkte sigurimi, të cilat mund të blihen edhe në sportelin bankar e që janë të detyrueshme. Njeri produkt siguron jetën e debitorit ndaj bankës në vlerën e shumës që i detyrohet bankës dhe njihet si PPI, Payment Protection Insurance. Produkti tjetër siguron pronën e lënë kolateral ndaj bankës. Në lidhje me këtë të dytën, Sigurime.Online, në mënyrë që qytetarët të jenë sa më të ndërgjegjshëm e të zgjedhin mbulimin më të plotë, ka një sugjerim me shumë vlerë: mos kurseni!

Përse nuk duhet kursyer me sigurimin e pronës kolateral 

Këndvështrimi i kredimarrësit ndryshon nga banka. Banka kërkon të sigurojë vetëm shumën të cilës i detyrohesh asaj nga viti në vit. Kjo shumë, duke qenë se vit pas viti vijon shlyerja, vjen në zvogëlim. Ky zvogëlim reflektohet edhe në vlerë primi, në çmim sigurimi. Shpesh, qytetarët kredimarrës, të “joshur” nga ulja e çmimit të sigurimit tregohen të kursyer: pranojnë uljen e mbulimit.  Mirëpo vlera e pronës, në dallim me vlerën e detyrimit të mbetur për t’u shlyer ndaj bankës, nuk ulet. Kjo diferencë, nga viti në vit, lë pjesë të mëdha të vlerës reale të pronës të pambuluara me sigurim.

Këshilla e Sigurime.Online është kjo: edhe pse principali për t’u shlyer ndaj bankës, e si rrjedhojë edhe çmimi i sigurimit të pronës kolateral vjen në zbritje nga viti në vit, ju, si klient, për hir të një mbulimi të plotë dhe inteligjent të pronës suaj, duhet të kërkoni që pronën kolateral ta siguroni me çmimin e tregut dhe jo me referencë vlerën e mbetur për t’u shlyer ndaj bankës.

Duhet ta kërkoni Ju! Me çdo rast! Kërko që ta sigurosh pronën kolateral me vlerën e tregut, jo me vlerën e principalit. 

Skenari që shmangni duke ndjekur këshillën tonë

Skenari që rrezikoni nëse nuk e ndiqni këshillën tonë është ky: Kredimarrësi ka marrë 100 mijë euro kredi. Pronën e blerë e ka lënë si kolateral ndaj bankës financuese. Vlera e pronës së lënë si kolateral në tregun e pronave është 200 mijë euro. Pas një periudhe kohe, po themi, pas dhjetë vjetësh, principali i mbetur për t’u shlyer ndaj bankës është zvogëluar në 20 mijë euro, sepse përgjatë viteve 80 mijë euro janë shlyer me korrektesë. Edhe këtë vit, banka i ka kërkuar si detyrim, përveç sigurimit PPI, edhe sigurimin e kolateralit për vlerën 20 mijë euro. Çmimi i sigurimit është disafish më i ulët se sa ai që kishte paguar vitin e parë dhe kredimarrësi joshet, pranon këtë ulje të çmimit të sigurimit.

Papritur tërmeti shkatërron pronën e kredimarrësit. (Siç e kemi thënë, në treg prona ka vlerë 200 mijë euro) Qytetari është i bindur që prona e tij është e siguruar, sepse paguan rregullisht edhe sigurime kolaterali në bankë. Mirëpo ky sigurim është vetëm për vlerën 20 mijë euro. Aq sa ishte detyrimi i tij ndaj bankës. Thënë ndryshe: banka ka kërkuar sigurinë financiare për vlerën e saj. Krejt papritur qytetari gjendet përballë një humbjeje të tillë: Dëmi i pronës së rrënuar është 200 mijë euro, ndërsa sigurimi ofron mbulimin vetëm 20 mijë euro. Diferenca, që duhet përballuar nga vetë qytetari kredimarrës në mënyrë që ta gëzojë sërish pronën e tij, është 180 mijë euro.

Si zgjidhet? 

Zgjidhja është e thjeshtë: Çdo vit, kredimarrësi duhet t’ia kërkojë vetë bankës në mënyrë të qartë:  ” nuk dua ta siguroj pronën kolateral me referencë principalin e mbetur, shumën për t’u shlyer ndaj bankës, por me vlerën që prona ka në treg, me mbulim maksimal”. Në rastin konkret, sigurimi me mbulim deri në 200 mijë euro, nga ku çmimi i sigurimit edhe në vitin e fundit të kredisë do të llogaritet për 200 mijë euro dhe jo për 20 mijë të mbetura.

Nëse tërmeti rrënon pronën kolateral me vlerë 200 mijë euro, banka ka të sigurta detyrimin prej 20 mijë euro, kredimarrësi mbështetet nga siguruesi me pjesën tjetër: 180 mijë euro. Sepse mbulimi është i plotë: 200 mijë euro.

Këshilla e Sigurime.Online është kjo: siguro vlerën e banesës në shumën që e konsideron të nevojshme dhe mos kurse te primi i sigurimit, sepse në rast dëmtimi nuk do të mund të marrësh nga siguruesi dëmshpërblimin e plotë të vlerës së dëmit. Kursimi do të të kushtojë shumë më shumë.

 

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat