Dy Jet Ski-ve në Liqenin e Kukësit u përplasën me njera-tjetrën dhe dy persona mbetën të lënduar lehtë.
Ngjarja ngriti menjëherë një çështje deri më tani pak të njohur të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve të vogla lundruese: a mbulohen personat e lënduar nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve të vogla lundruese?
Çfarë duhet ditur nga sigurimet?
Së pari, duhet ditur se për çdo mjet lundrues, njësoj si për mjetet motorike automjet, ekziston një detyrim ligjor për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.
Ligji nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” dhe rregullorja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratuar me vendimin nr.125 datë 28.07.2021
për “Përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, përfshijnë edhe specifikat e përdorimit të mjeteve lundruese.
Përmes këtij lloj sigurimi, siguruesi mbulon përgjegjësinë civile të policëmbajtësit, në përputhje me parashikimet e Ligjit dhe të Rregullores dhe brenda kufijve të rënë dakord, vetëm për dëmet pasurore dhe jopasurore(shëndetësore) të shkaktuara ndaj palëve të treta për shkak të qarkullimit të MVL të siguruar.
Çfarë ndodhi në Kukës dhe a e mbulon sigurimi dëmtimin e dy personave?
Në ngjarjen e Liqenit të Kukësit, nga përplasja e dy motorëve të ujit, u lënduan dy persona në të dy motorët përkatës.
Pyetja është e thjeshtë: A aktivizohet sigurimi i detyrueshëm i MVL?
Përgjigjja është jo.
Kontratat e sigurimit të detyrueshëm MVL e shprehin qartë se personat në bordin e mjetit të vogël lundrues shkaktarë të dëmit dhe personat në bordin e mjetit tjetër lundrues (paragrafi 2 i nenit 50 të Ligjit) nuk janë objekt i këtij sigurimi dhe nuk përfshihen në
palë të treta.
Edhe te pjesa përjashtimore e kontratave, specifikisht, dëmi shëndetësor i personave të imbarkuar si në mjetin shkaktar të demit, ashtu dhe të atyre në bordin e çdo mjeti tjetër lundrues, trajtohet si i përjashtuar nga mbulimi.
Po kush mbulohet?
Sigurimi është konceptuar kryesisht për dëmet që mjeti mund t’u shkaktojë personave ose pasurisë jashtë mjeteve lundruese të përfshira në aksident.
Kushtet e kontratës përcaktojnë se kërkesa për dëmshpërblim mund të përfshijë dëmet ndaj pronës dhe/ose personave të dëmtuar që nuk ndodhen në asnjërin prej mjeteve lundruese të përfshira në aksident.
Pra, nëse një Jet Ski do të përplasej me një person që ndodhet në breg, me një objekt të një pale tjetër apo do të shkaktonte dëm ndaj një personi që nuk ndodhet në asnjërin prej mjeteve, atëherë mund të lindte përgjegjësia e sigurimit, në varësi të rrethanave dhe kushteve të policës.
Dokumentet dhe leja e drejtimit janë gjithashtu vendimtare
Në çdo rast aksidenti duhet verifikuar nëse mjeti dhe drejtuesi kanë qenë në përputhje me dokumentacionin dhe autorizimet përkatëse.
Kontrata kërkon që drejtuesi të jetë person kompetent dhe të ketë leje drejtimi të vlefshme për mjet lundrues, ndërsa mjeti duhet të ketë dokumentacionin e kërkuar dhe të vlefshëm.
Përdorimi i mjetit në kundërshtim me detyrimet që rrjedhin nga leja e drejtimit, certifikata e sigurisë apo leja e lundrimit parashikohet ndër rastet e përjashtuara nga mbulimi.




