Nëse mendoni për një agjent shitjesh në industrinë e sigurimeve, a përfytyroni menjëherë dikë që përpiqet në mënyrë të pandërprerë t’u shesë klientëve produktet e tij, që kalon gjithë ditën duke kryer telefonata të papritura dhe më pas përballet me një mori dokumentesh dhe procedurash administrative?
Ky perceptim tanimë duhet riparë. Tashmë duhet ta përfytyroni profesionin si më dinamik dhe me ritëm më të lartë, ku çdo ditë sjell mundësi dhe sfida të reja.
Agjentët prej kohësh nuk shesin thjesht një produkt sigurimi.
Ata ofrojnë siguri dhe qetësi shpirtërore, duke ndihmuar klientët të mbrohen financiarisht ndaj ngjarjeve të papritura dhe të pasigurta.
Sigurimi nuk përfaqëson vetëm një nevojë ekonomike, por edhe dëshirën njerëzore për të pasur siguri dhe për të mbrojtur familjarët dhe të afërmit.
Ekzistojnë dy kategori kryesore të agjentëve të shitjeve në sigurime:
A) agjentët e shitjeve të brendshme (inside sales agents) dhe
B) agjentët e shitjeve në terren (outside sales agents).
Disa agjentë mund të konsiderohen gjithashtu agjentë hibridë, pasi ushtrojnë funksione që i përkasin të dyja kategorive.
Agjentët e shitjeve të brendshme
Agjentët e shitjeve të brendshme u shesin klientëve policat e sigurimit përmes telefonit dhe internetit.
Ata u përgjigjen telefonatave hyrëse nga klientët dhe kryejnë telefonata dalëse ndaj klientëve potencialë.
Gjatë këtyre kontakteve, ata këshillojnë klientët mbi nevojat e tyre për sigurim dhe i orientojnë drejt mbulimeve më të përshtatshme, me synim shndërrimin e klientëve potencialë në klientë të kënaqur dhe të qëndrueshëm.
Email-i përdoret gjithashtu gjerësisht për komunikimin e zgjidhjeve të propozuara dhe për ndjekjen e kontakteve me klientët potencialë.
Një pyetje e natyrshme është se nga sigurohen këto kontakte me klientë potencialë. Në përgjithësi, agjentët e shitjeve të brendshme nuk kanë përgjegjësinë kryesore për gjenerimin e kontakteve të reja.
Kontaktet u sigurohen përmes programeve të marketingut të shoqërisë, partneriteteve me organizata ose subjekte të tjera, si dhe përmes listave të klientëve potencialë që u vihen në dispozicion për t’i kontaktuar.
Puna e tyre e përditshme përfshin menaxhimin e këtyre kontakteve përmes sistemeve të menaxhimit të marrëdhënieve me klientët (Customer Relationship Management – CRM), përgatitjen e ofertave për policat përmes platformave elektronike të kuotimit, propozimin e zgjidhjeve të përshtatura sipas nevojave të klientit dhe planifikimin e takimeve ose kontakteve të mëtejshme.
Agjentët e shitjeve në terren
Ndryshe nga agjentët e brendshëm, agjentët e shitjeve në terren kanë zakonisht përgjegjësinë për të gjeneruar vetë kontaktet me klientë potencialë dhe për të ndërtuar portofolin e tyre të klientëve.
Ata shfrytëzojnë marrëdhëniet ekzistuese dhe identifikojnë klientë të rinj potencialë përmes pjesëmarrjes në aktivitete komunitare, promovimit të aktivitetit të tyre në internet dhe krijimit të partneriteteve për referime me profesionistë që ushtrojnë veprimtari në industri të ndryshme.
Shitjet realizohen jashtë ambienteve të zyrës, shpesh përmes takimeve ballë për ballë me klientët dhe, në disa raste, edhe nga zyra të vendosura në distancë.
Agjentët e shitjeve në terren mund të përdorin gjithashtu mjete elektronike për përgatitjen e ofertave dhe kuotimin e policave, ose mund t’ia delegojnë këtë proces menaxherit të llogarisë në zyrën e tyre.
Pavarësisht mënyrës së organizimit të punës, njësoj si agjentët e brendshëm edhe agjentët në terren, të jashtmit, përdorin teknologjinë për të mbajtur të përditësuara të dhënat mbi klientët potencialë dhe klientët ekzistues.
Kjo vlen pavarësisht nëse agjenti punon në shitje të brendshme, në terren apo në një model hibrid që kombinon të dyja format.
Aftësitë e nevojshme për një agjent shitjesh në sigurime
Për të realizuar me sukses marrëveshje të rëndësishme dhe për t’i shndërruar klientët potencialë në klientë të sigurt dhe të kënaqur, agjentët duhet të zotërojnë aftësi të qarta dhe efektive komunikimi.
Krahas tyre, kërkohen aftësi shumë të mira organizative, qëndrueshmëri psikologjike dhe profesionale përballë sfidave, si dhe një aftësi e zhvilluar për shitje dhe negocim.
Prandaj, profesioni i agjentit të shitjeve në sigurime nuk lidhet vetëm me potencialin për të ardhura të konsiderueshme që mund të krijohen përmes realizimit të shitjeve.
Në thelb, bëhet fjalë për një profesion që synon të ndihmojë individët, familjet dhe bizneset të mbrojnë të ardhmen e tyre dhe të përballojnë më mirë pasiguritë financiare që mund të sjellin ngjarje të papritura.
Përveç aspektit financiar, ky profesion mund të ofrojë edhe kënaqësinë profesionale që vjen nga përmbyllja me sukses e një procesi kompleks shitjeje, si dhe ndjenjën e bashkëpunimit dhe solidaritetit që krijohet përmes punës në një ekip mbështetës.




