Numri i pensionistëve po rritet, ndërsa të ardhurat pas daljes nga tregu i punës mbeten gjithnjë e më larg nivelit të pagave. Të dhënat e vitit 2025 tregojnë një sistem përballë sfidave demografike, ekonomike dhe sociale.
Skema publike e pensioneve në Shqipëri po përballet me një realitet gjithnjë e më kompleks. Rritja e numrit të pensionistëve, emigrimi i popullsisë në moshë aktive për punë dhe zgjerimi i pensioneve të pjesshme po ndikojnë drejtpërdrejt në raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve.
Të dhënat e fundit tregojnë se numri i pensionistëve të pleqërisë arriti në 641,085 persona në vitin 2025, nga rreth 557 mijë në vitin 2021. Vetëm gjatë vitit të kaluar, numri i personave që dolën në pension arriti në 33,518, gati dyfishi i një viti më parë.
Kjo rritje vjen në një kohë kur baza e kontribuuesve nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm.
Raporti mes kontribuuesve dhe pensionistëve po përkeqësohet
Sistemi shqiptar i pensioneve bazohet në solidaritetin ndërmjet brezave: kontributet e forcës aktive të punës financojnë pensionet e brezit të tretë.
Qëndrueshmëria e këtij modeli lidhet ngushtë me raportin mes personave që kontribuojnë dhe atyre që përfitojnë pension.
Në vitin 2021, për çdo pensionist pleqërie kishte 1.42 kontribuues aktivë. Në vitin 2025, ky raport zbriti në 1.36. Ndërkohë, gjatë periudhës 2021–2025, numri i pensionistëve u rrit me mbi 84 mijë, ndërsa kontribuuesit me rreth 80 mijë.
Vetëm gjatë vitit 2025, numri i pensionistëve të rinj që hynë në skemë ishte 23% më i lartë se numri i kontribuuesve të rinj.
Një faktor i rëndësishëm pas këtij zhvillimi është ndryshimi demografik. Sipas të dhënave të cituara në material, gjatë viteve 2021–2025, mbi 166.4 mijë shqiptarë më shumë kanë emigruar sesa janë kthyer, me pjesën më të madhe të emigrantëve që i përkasin grupmoshave të reja.
Kjo krijon një presion shtesë mbi një sistem ku numri i përfituesve po rritet dhe baza e kontribuuesve përballet me efektet e emigracionit dhe plakjes së popullsisë.
Mbi gjysma e pensioneve të pleqërisë janë të pjesshme
Një tjetër zhvillim që bie në sy është rritja e peshës së pensioneve të pjesshme.
Në vitin 2025, pensionet e pjesshme përbënin 55.2% të totalit të pensioneve të pleqërisë, nga 52.1% në vitin 2024.
Numri i përfituesve të pensionit të pjesshëm arriti në 353,983 persona, krahasuar me 316,781 një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 11.7%. Në të kundërt, numri i përfituesve të pensionit të plotë ra nga 287,279 në 283,677.
Të dhënat për pensionet e reja e bëjnë edhe më të dukshëm këtë zhvillim.
Gjatë vitit 2025, nga rreth 54,676 pensione të reja urbane, vetëm 7,723 persona përfituan pension me vite të plota pune, ndërsa 42,594 persona përfituan pension të pjesshëm.
Kjo nënkupton se rreth 85% e pensionistëve të rinj urbanë nuk kishin plotësuar vjetërsinë e plotë të punës dhe, për rrjedhojë, përfituan pension të pjesshëm.
Për këtë kategori, pagesa mesatare e pensionit të pjesshëm ishte 13,500 lekë në muaj gjatë vitit 2025.
Pensioni mesatar zëvendëson vetëm 30% të pagës
Një nga treguesit më të rëndësishëm për të kuptuar nivelin e të ardhurave pas pensionimit është shkalla e zëvendësimit.
Ky tregues mat raportin mes pensionit dhe pagës që një person ka pasur gjatë periudhës së punës. Sa më e ulët të jetë shkalla e zëvendësimit, aq më i madh është ndryshimi në të ardhura pas daljes në pension.
Sipas të dhënave të materialit, pensioni mesatar në Shqipëri përfaqësonte rreth 30% të pagës mesatare në vitin 2025, nga 38% në vitin 2021.
Ndërkohë, gjatë periudhës 2021–2025, paga mesatare në vend u rrit me 47%, ndërsa pensioni mesatar u rrit me vetëm 16%.
Diferenca mes ritmit të rritjes së pagave dhe pensioneve ka ndikuar në zgjerimin e hendekut mes standardit të jetesës gjatë viteve aktive të punës dhe të ardhurave pas pensionimit.
Sipas standardeve të përmendura në material, Organizata Ndërkombëtare e Punës e vendos shkallën minimale të zëvendësimit në 40%, ndërsa standardet europiane synojnë nivele prej 50%–60% të pagës mesatare.




