20.4 C
Tirana
Thursday, November 12, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBashkimi, ndarja dhe ligji i numrave të mëdhenj: Tre koncepte për një...

Bashkimi, ndarja dhe ligji i numrave të mëdhenj: Tre koncepte për një hartë operacionale të industrisë siguruese

Kujdes! Këtu kemi tre koncepte themelore të sigurimeve: bashkim i rreziqeve, ndarje e rrezikut dhe ligji i numrave të mëdhenj.

Kuptimi i koncepteve të bashkimit të rreziqeve, ndarjes së rrezikut dhe ligjit të numrave të mëdhenj na ndihmon të kuptojmë më qartë mënyrën se si funksionojnë kompanitë e sigurimit.

Ato, nëse i vizualizon, krijojnë një hartë, një skicë të logjikës operuese të industrisë siguruese.

Këto parime përbëjnë bazën e industrisë së sigurimeve dhe luajnë një rol thelbësor në administrimin e rrezikut, duke sjellë përfitime për personat e siguruar.

Bashkimi i rreziqeve 

Bashkimi i rreziqeve (Risk Pooling) është një parim themelor i sigurimeve. Ai përfshin bashkimin e një numri të madh subjektesh, si individë, kompani etj., në një grup të përbashkët, me qëllim ndarjen e rrezikut që lidhet me një ekspozim të caktuar.

Bashkimi është veprimi, ndarja qëllimi.

Bashkimi i rreziqeve mbështetet në konceptin e ndarjes së përbashkët të rrezikut, sipas të cilit humbjet shpërndahen ndërmjet të gjithë anëtarëve të këtij grupi.

Ndarja e rreziqeve

Parimi i ndarjes së rrezikut bazohet në supozimin se, megjithëse disa anëtarë të grupit do të pësojnë humbje, të tjerët nuk do të kenë humbje të tilla.

Për rrjedhojë, humbjet e një numri të vogël personash të pafat kompensohen nga kontributet e një numri të madh personash të tjerë.

Ky mekanizëm siguron që asnjë individ apo subjekt i vetëm të mos përballojë i vetëm të gjithë koston e një ngjarjeje potencialisht katastrofike.

Ligji i numrave të mëdhenj dhe shpërndarja e rrezikut

Ligji i numrave të mëdhenj luan një rol vendimtar në shpërndarjen e rrezikut në industrinë e sigurimeve.

Kjo teori statistikore sugjeron se, me rritjen e numrit të njësive të ekspozuara ndaj rrezikut, domethënë të personave të siguruar, zvogëlohet diferenca ndërmjet rezultateve reale dhe atyre të pritshme.

Me fjalë të thjeshta, sa më i madh të jetë numri i personave të siguruar, aq më shumë rezultatet reale të dëmeve priren t’u afrohen parashikimeve.

Për shembull, do të ishte e vështirë për një kompani sigurimi të parashikonte me saktësi nëse një person i vetëm i siguruar do të pësonte një humbje gjatë një viti të caktuar.

Por, nëse kompania ka një grup prej një milion personash të siguruar, ajo mund të bëjë parashikime relativisht të sakta për numrin e personave që mund të paraqesin kërkesa për dëmshpërblim gjatë atij viti, duke u mbështetur në të dhënat historike dhe analizat statistikore.

Përfitimi i ligjit të numrave të mëdhenj qëndron në mundësinë që ai krijon për parashikimin më të saktë të humbjeve, duke mundësuar kështu përcaktimin e primeve të sigurimit më të qëndrueshme.

Gjithashtu, ky parim u mundëson kompanive të sigurimit të parashikojnë ekspozimin e tyre të mundshëm financiar, duke siguruar burime të mjaftueshme për të paguar dëmshpërblimet, ndërkohë që ruajnë mundësinë për të realizuar fitim.

Sigurimi si mekanizëm për ndarjen e rrezikut

Në thelb, sigurimi është një mekanizëm që shpërndan rrezikun financiar të pasigurive të jetës ndërmjet një numri të madh individësh ose subjektesh. Kur një person i siguruar paguan primin e sigurimit, ai në thelb blen një premtim nga kompania e sigurimit se, nëse ndodh ngjarja e siguruar, kompania do të përballojë humbjet sipas kushteve të kontratës së sigurimit.

Primet e mbledhura krijojnë një fond të përbashkët, nga i cili paguhen dëmshpërblimet. Në thelb, çdo person i siguruar kontribuon me një shumë të vogël për të mbuluar humbjet e atyre që i pësojnë ato. Nëpërmjet ndarjes së rrezikut në një grup të madh personash të siguruar, minimizohet ndikimi financiar mbi secilin individ ose subjekt.

Kompania e Sigurimit të Automjeteve «SIGURIME ONLINE»

Le të shqyrtojmë një rast studimor që përqendrohet te një kompani fiktive e sigurimit të automjeteve, e quajtur SIGURIME ONLINE, si portali ynë, vetëm për efekt ilustrim. Shkurt: SO.

Me dy milionë persona të siguruar në të gjithë vendin, SO ofron mbulim sigurimi për dëmet që shkaktohen nga aksidentet, vjedhjet dhe ngjarje të tjera të padëshiruara që lidhen me automjetet.

Fuqia e bashkimit të rreziqeve dhe ndarjes së tyre

Supozoni se çdo person i siguruar paguan një prim vjetor pranë kompanisë SO. Të gjitha këto prime, së bashku, krijojnë një fond të madh financiar, të cilin kompania e përdor për të paguar dëmet e automjeteve të personave të siguruar.

Primet përcaktohen në bazë të disa faktorëve, duke përfshirë llojin e automjetit, historikun e drejtimit të mjetit nga personi i siguruar dhe koston mesatare të dëmshpërblimeve.

Supozoni se, mesatarisht, personat e siguruar pranë SO përfshihen në një aksident një herë në dhjetë vjet dhe se kostoja mesatare e një dëmshpërblimi është 1000 dollarë.

SO përcakton një prim vjetor prej 120 dollarësh, i cili synon të mbulojë këtë rrezik përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare, si dhe kostot administrative, duke krijuar mundësi edhe për realizimin e fitimit të kompanisë.

Në praktikë, jo të gjithë personat e siguruar do të përfshihen në aksidente çdo vit. Shumica nuk do të kenë aksidente, ndërsa një pjesë e vogël do të paraqesë kërkesa për dëmshpërblim.

Nëpërmjet bashkimit të rreziqeve dhe ndarjes së tyre, kontributet e personave që nuk paraqesin kërkesa për dëmshpërblim gjatë një viti ndihmojnë në mbulimin e kostove të personave që pësojnë dëme.

Zbatimi i ligjit të numrave të mëdhenj

Pikërisht në këtë pikë ligji i numrave të mëdhenj bëhet thelbësor. Ndërsa është pothuajse e pamundur të parashikohet se cili person i siguruar do të përfshihet në një aksident gjatë një viti të caktuar, SO, me dy milionë personat e saj të siguruar, mund të përdorë analizat statistikore për të bërë parashikime relativisht të sakta për numrin e aksidenteve vjetore dhe kostot përkatëse.

Supozoni se aktuarët e SO-së, pra specialistët që analizojnë rreziqet dhe llogarisin kostot e pritshme të sigurimit, kanë përcaktuar se rreth 1% e personave të siguruar do të paraqesin kërkesa për dëmshpërblim gjatë një viti të caktuar.

Kjo përqindje përkthehet në 20 000 kërkesa për dëmshpërblim, të cilat çojnë në një shumë të vlerësuar prej 20 milionë dollarësh për pagesat vjetore të dëmeve.

Duke përcaktuar nivelet e duhura të primeve dhe duke administruar me kujdes fondin e përbashkët, SO mund të sigurojë burimet e nevojshme për të përballuar këto pagesa, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë e saj financiare.

Sigurimi si mekanizëm për ndarjen e rrezikut

Ky skenar ilustron mënyrën se si sigurimi funksionon si mekanizëm për ndarjen e rreziqeve ndërmjet një numri të madh personash të siguruar.

Çdo person i siguruar pranë HGA kontribuon në fondin e përbashkët nëpërmjet pagesës së primit të sigurimit. Ky fond përdoret më pas për të mbuluar kostot e personave që pësojnë dëme ose fatkeqësi të lidhura me automjetet e tyre.

Përfundim

Parimet e bashkimit të rreziqeve, ndarjes së tyre dhe ligjit të numrave të mëdhenj përbëjnë bazën e funksionimit efektiv të industrisë së sigurimeve. Ato krijojnë një strukturë që mundëson shpërndarjen e rrezikut, minimizon vështirësitë financiare individuale dhe lejon parashikimin relativisht të saktë të humbjeve.

Për rrjedhojë, sigurimi është një nga format më të qarta të ndarjes së rrezikut ndërmjet një numri të madh personash të siguruar, duke ofruar siguri financiare dhe qetësi shpirtërore në një botë plot pasiguri.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat