Edhe pse tregu europian po elektrifikohet me shpejtësi, rinovimi i flotës së automjeteve po ecën shumë më ngadalë. Për Europën Qendrore, Lindore dhe Ballkanin, mosha e lartë e automjeteve mbetet një nga sfidat kryesore për sigurinë rrugore dhe industrinë e sigurimeve.
Sipas të dhënave të ACEA, një automjet pasagjerësh në Bashkimin Europian ishte mesatarisht 12.7 vjeç në vitin 2024.
Greqia kishte flotën më të vjetër, me një moshë mesatare prej 17.8 vitesh, ndërsa Luksemburgu flotën më të re, me 8.2 vite.
Problemi është veçanërisht i dukshëm në Europën Qendrore dhe Lindore dhe në disa vende të Europës Juglindore.
Fuqia më e ulët blerëse, kërkesa e lartë për automjete të përdorura të importuara dhe ritmi historikisht më i ngadaltë i rinovimit bëjnë që teknologjitë e reja të shfaqura në sallonet e automjeteve të kërkojnë shumë vite për t’u përhapur në të gjithë flotën.
Kjo krijon një paradoks: rajoni po rrit numrin e automjeteve, por një pjesë e konsiderueshme e tyre mbetet e vjetër.

Po Shqipëria?
Për vitin 2025 nga Shqipëria nuk janë raportuar të dhëna, por përsa i përket vitit 2024 panorama është kjo:
775,217 autovetura
11,311 me më pak se dy vjet vjetërsi
12,535 mes 2-5 vjet vjetërsi
44,925 mes 5-10 vjet vjetërsi
371,327 mes 10-20 vjet vjetërsi
335,119 mbi 20 vjet vjetërsi
Të dhënat tregojnë qartë se flota e autoveturave është e përqendruar në segmentet më të vjetra të moshës. Nga 775,217 autovetura, 371,327 prej tyre, ose 47.9%, janë të vjetra 10–20 vjet, ndërsa 335,119 automjete, ose 43.2%, kanë më shumë se 20 vjet.
Në total, kjo do të thotë se mbi 9 në 10 autovetura në qarkullim (91.1%) janë më shumë se 10 vjeç.
Në krahun tjetër, automjetet relativisht të reja përbëjnë një pjesë shumë të vogël të flotës. Vetëm 1.46% e autoveturave janë më pak se dy vjeç, ndërsa 1.62% janë në grupmoshën 2–5 vjeç. Edhe automjetet 5–10 vjeç përbëjnë vetëm 5.8% të totalit.
Autoveturat nën 10 vjeç përfaqësojnë vetëm rreth 8.9% të gjithë flotës, ndërsa pjesa dërrmuese është mbi 10 vjeç. Struktura e tillë tregon një ritëm të ngadaltë të rinovimit të flotës, me implikime të drejtpërdrejta për sigurinë rrugore, konsumin e karburantit, emetimet dhe profilin e rrezikut për siguruesit e automjeteve.
13.99% e të gjithë flotës në Bosnje, 16.97% e të gjithë flotës në Serbi, 19.47% e të gjithë flotës në Rumani, 20.29% e të gjithë flotës në Mal të Zi, 28.04% e të gjithë flotës në Hungari, 37.57% e të gjithë flotës në Kroaci janë mjete më vjetërsi nga 0-10 vjet përsa u përket regjistrave të vitit 2024.




