Nëse një person tjetër shkakton një aksident me mjetin tuaj, kjo mund të ndikojë edhe në historikun tuaj të dëmeve si policëmbajtës.
Sipas Rregullores nr. 156 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për aplikimin e sistemit të ri të përllogaritjes së faktorëve të riskut, dëmi lidhet me policëmbajtësin dhe jo vetëm me drejtuesin që ka shkaktuar aksidentin.
Kjo do të thotë se, edhe nëse në momentin e aksidentit mjetin tuaj e drejtonte një person tjetër, dëmi i regjistruar në policën tuaj mund të merret në konsideratë në historikun tuaj të dëmeve.
Për këtë arsye, policëmbajtësi duhet të tregojë kujdes dhe përgjegjshmëri edhe për personat të cilëve ua jep mjetin për përdorim dhe qarkullim.
Po nëse kam disa mjete në pronësi?
Nëse keni edhe mjete të tjera të siguruara në emrin tuaj, historiku i dëmeve mund të merret në konsideratë edhe gjatë sigurimit të tyre.
Në këto raste, klasifikimi në një kategori me risk më të lartë, pra në statusin “Malus”, mund të ndikojë në primin e sigurimit edhe për mjetet e tjera.
Një aksident me një nga mjetet tuaja nuk duhet parë vetëm si një ngjarje që prek atë automjet. Për policëmbajtësit me disa mjete, historiku i dëmeve mund të ketë ndikim edhe në sigurimin e mjeteve të tjera.
Kujdesi nuk duhet të jetë vetëm gjatë drejtimit të mjetit. Edhe zgjedhja e personit të cilit ia besoni mjetin mund të ketë pasoja në historikun tuaj të sigurimit.




