28.4 C
Tirana
Tuesday, August 11, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAksidenti tragjik në aksin Korçë–Maliq: Si mund të aktivizohen të drejtat e...

Aksidenti tragjik në aksin Korçë–Maliq: Si mund të aktivizohen të drejtat e dëmshpërblimit nga sigurimi?

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin kombëtar Korçë–Maliq, pranë fshatit Vashtëmi, ku ka humbur jetën një 27-vjeçar.

Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga autoritetet, një automjet tip “Audi”, që dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të lartë, ka goditur nga pas një automjet tjetër. Si pasojë e përplasjes së fortë, automjeti i goditur ka dalë nga rruga, ndërsa drejtuesi i tij, i cili udhëtonte i vetëm, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit tjetër është shoqëruar në polici dhe grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Sigurime.Online shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e të ndjerit dhe u uron shërim sa më të shpejtë të gjithë personave të plagosur në këtë aksident.

Në të njëjtën kohë, Sigurime.Online nuk ndan përgjegjësi, nuk gjykon rrethanat e aksidenteve dhe nuk paragjykon rezultatin e hetimeve. Qëllimi ynë është të përdorim raste konkrete vetëm për të shpjeguar se si mund të funksionojë sistemi i sigurimeve të detyrueshme dhe cilat janë të drejtat që ligji u njeh personave të dëmtuar ose familjarëve të tyre.

Çfarë parashikon legjislacioni në raste të tilla?

Nëse nga hetimet dhe procedurat ligjore rezulton se ngjarja hyn në mbulimin e sigurimit të detyrueshëm motorik, familjarët e viktimës mund të kenë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim sipas Ligjit nr. 32/2021 dhe Rregullores nr. 125 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Dëmshpërblimi mund të përfshijë:

  • Dëmin pasuror me pasojë vdekjen, i cili llogaritet sipas formulës së përcaktuar në Rregulloren nr. 125, duke marrë në konsideratë të ardhurat e viktimës, numrin e familjarëve në ngarkim, koeficientët e kapitalizimit dhe moshën e daljes në pension.
  • Shpenzimet e varrimit, të përcaktuara në shumën fikse prej 300,000 lekësh.
  • Dëmin moral, ku secili prind, bashkëshort ose fëmijë mund të përfitojë deri në 220,000 lekë, ndërsa vëllezërit dhe motrat deri në gjysmën e kësaj vlere.
  • Dëmin ekzistencial, me të njëjtat kufij maksimalë si dëmi moral për familjarët e të ndjerit.

Dokumentet që kërkohen

Për dëmet me pasojë vdekjen, ndër dokumentet që zakonisht kërkohen janë:

  • Skeda e vdekjes;
  • Certifikata e vdekjes;
  • Akti i përcaktimit të trashëgimtarëve;
  • Si edhe dokumentacioni tjetër i parashikuar nga legjislacioni përkatës.

Vlera përfundimtare e dëmshpërblimit përcaktohet vetëm pas administrimit të dokumentacionit dhe zbatimit të formulave ligjore të parashikuara në Rregulloren nr. 125 të AMF-së, gjithmonë brenda kufijve të mbulimit të përcaktuar nga Ligji nr. 32/2021.

Përjashtimet nga mbulimi i TPL: 

Sipas kushteve të kontratës së sigurimit, nuk përfitojnë dëmshpërblim drejtuesi i mjetit shkaktar të aksidentit për dëmet që i shkaktohen atij vetë, trashëgimtarët ose të afërmit e tij përkatësisht për këto dëme, bashkudhëtarët që udhëtojnë me dijeni në një mjet të drejtuar nga person i paautorizuar ose në një mjet të pasiguruar, personi që ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme mjetin dhe dëmtohet gjatë përdorimit të tij, si dhe personat e dëmtuar nga përdorimi i mjeteve në gara apo veprimtari sportive të palejuara, nga energjia bërthamore gjatë transportit të materialeve radioaktive ose nga veprime lufte, revolte apo akte terroriste, kur provohet lidhja shkakësore me këto ngjarje.

Gjithashtu, përjashtohen rastet kur drejtuesi nuk e përdor mjetin sipas destinacionit të tij, nuk disponon leje të vlefshme drejtimi për kategorinë përkatëse, i është pezulluar ose ndaluar përdorimi i lejes së drejtimit, drejton mjetin nën ndikimin e alkoolit mbi kufirin e lejuar, të lëndëve narkotike apo psikoaktive, e shkakton dëmin me dashje ose drejton një mjet me defekte teknike për të cilat ka qenë në dijeni.

Megjithatë, humbja e të drejtave të sigurimit në këto raste nuk cenon të drejtën e palëve të treta për të kërkuar dëmshpërblim nga siguruesi përgjegjës, i cili ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e shumës së paguar për dëmet, interesat dhe shpenzimet nga personi përgjegjës për shkaktimin e dëmit.

Ky material ka karakter ekskluzivisht informues dhe nuk përbën vlerësim të përgjegjësisë për aksidentin apo të rezultatit të hetimeve, të cilat u takojnë vetëm organeve kompetente.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat