Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë një rritje të aksidenteve rrugore gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Në periudhën janar–qershor janë regjistruar 679 aksidente rrugore, rreth 6.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i personave të aksidentuar, të vrarë ose të plagosur, është rritur nga 883 në 952 persona.
Vetëm gjatë muajit qershor janë regjistruar 132 aksidente, me 186 persona të dëmtuar, një rritje e ndjeshme krahasuar me qershorin e vitit 2025. Sipas të dhënave statistikore, pjesa më e madhe e aksidenteve lidhet me sjelljen e drejtuesve të mjeteve, ndërsa intervali kohor me numrin më të lartë të përplasjeve rezulton të jetë nga ora 19:00 deri në mesnatë.
Rritja e numrit të aksidenteve sjell një realitet të njohur çdo ditë në kronikat e lajmeve: përveç pasojave fizike dhe emocionale për njerëzit e përfshirë, aksidentet kanë edhe një ndikim të rëndësishëm financiar.
Reflektimi në sigurime
Në 6 muajt e parë të vitit 2026, industria e sigurimeve pagoi 16.91% më shumë dëme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
3,655,593,000 lekë pagoi industria e sigurimeve si dëme në sigurimet motorike për periudhën janar-qershor 2026, krahasuar me 3,126,793,000 lekë të një viti më marë, një diferencë prej gati 529 milionë lekësh, ose 5.7 milionë euro më tepër.
Vetëm SIGAL INSURANCE GROUP, kompania që paguan 1/4 e totalit të dëmshpërblimeve të industrisë me 8 kompani operuese, dëmshpërbleu për këtë 6-mujor të parë të vitit rreth 64% më shumë se sa një vit më parë.
Çfarë duhet të dinë qytetarët për sigurimet?
Sigurime.online ndjek dhe analizon shpesh ngjarjet aksidentale të raportuara publikisht, duke shpjeguar se si mund të funksionojnë mbrojtjet e sigurimit, cilat janë të drejtat e të siguruarve dhe cilat janë kushtet që duhen përmbushur sipas kontratave.
Këto analiza kanë një qëllim informues dhe edukues për publikun. Ato nuk përbëjnë vendimmarrje apo vlerësim juridik të rasteve konkrete, pasi përcaktimi i përgjegjësive dhe vendimet përfundimtare u takojnë vetëm organeve kompetente.
Në një realitet ku pothuajse çdo ditë raportohen aksidente me pasoja të rënda, apeli kryesor mbetet kujdesi, vigjilenca dhe respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të shtuar lëvizjesh.
Por përtej parandalimit, ekziston edhe nevoja për mbrojtje financiare. Një aksident mund të sjellë shpenzime për riparimin e automjetit, dëme ndaj palëve të treta, kosto mjekësore apo pasoja ekonomike afatgjata.
Sigurimi nuk e shmang aksidentin, por ndihmon që pasojat financiare të një ngjarjeje të papritur të mos rëndojnë vetëm mbi individin apo familjen.
Në shumë raste, kostoja e një aksidenti të pasiguruar mund të jetë shumë herë më e madhe se kostoja e sigurimit, ndërsa një kontratë sigurimi funksionon si një mekanizëm mbrojtjeje përballë rreziqeve që mund të ndodhin në çdo moment.
Në një kohë kur statistikat tregojnë rritje të aksidenteve rrugore, ndërgjegjësimi për sigurimin është pjesë e rëndësishme e kulturës së sigurisë në rrugë.




