28.4 C
Tirana
Tuesday, August 11, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAksident fatal, vdes këmbësori në aksin Lezhë-Milot: çfarë mund të thuhet për...

Aksident fatal, vdes këmbësori në aksin Lezhë-Milot: çfarë mund të thuhet për sigurimet

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës është regjistruar në aksin Lezhë–Milot mbrëmjen e 3 gushtit, rreth orës 23:00.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa grupi hetimor vijon veprimet procedurale për dokumentimin e rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkakut të ngjarjes.

Sigurime.Online nuk përcakton përgjegjësi apo fajësi për aksidentin. Shkaku i ngjarjes dhe përgjegjësia ligjore do të përcaktohen vetëm nga organet kompetente, mbi bazën e hetimit dhe provave të administruara.

Në rast se nga hetimi vërtetohet përgjegjësia e drejtuesit të automjetit, familjarët e viktimës kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim sipas legjislacionit në fuqi për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë ndaj palëve të treta (TPL).

Sipas Ligjit nr. 32/2021 dhe rregullores përkatëse, sigurimi TPL mbulon dëmet ndaj personit me pasojë vdekjen, përfshirë dëmin pasuror dhe jopasuror, ndërsa vlera e dëmshpërblimit llogaritet sipas kritereve ligjore që marrin në konsideratë të ardhurat e të ndjerit, përbërjen familjare dhe koeficientët e përcaktuar në rregullore.

Sipas nenit 15 të Rregullores në zbatim të Ligjit nr. 32/2021, në rastet kur një aksident rrugor ka si pasojë humbjen e jetës dhe përgjegjësia e shkaktarit është vërtetuar, dëmi pasuror për familjarët e viktimës përllogaritet mbi bazën e të ardhurave personale vjetore të të ndjerit, të cilave u zbritet pjesa që ai do të përdorte për nevojat e veta, në varësi të numrit të anëtarëve të familjes.

Më pas, kjo shumë shumëzohet me koeficientët e kapitalizimit dhe të moshës së daljes në pension, sipas formulës së përcaktuar në rregullore. Nëse i ndjeri ka lënë tre ose më shumë familjarë, zbritet 30% e të ardhurave; kur ka lënë dy familjarë zbritet 40%; ndërsa kur ka lënë vetëm një familjar zbritet 50%.

Për viktimat nën moshën 16 vjeç, trashëgimtarët përfitojnë një dëmshpërblim fiks prej 2.5 milionë lekësh. Kur trashëgimtarët janë të mitur, shuma depozitohet në emrin e tyre në një bankë të nivelit të dytë.

Përveç dëmshpërblimit kryesor, ligji parashikon edhe mbulimin e shpenzimeve të varrimit në vlerën fikse prej 300 mijë lekësh. Ndërsa në rastet kur viktima ka qenë personi i vetëm në familje, nuk llogaritet dëmshpërblim për humbjen e të ardhurave, por mbulohen vetëm shpenzimet e varrimit, të cilat i paguhen subjektit që ka kryer shërbimet funerale ose shtetit.

Sigurime.Online shpreh ngushëllimet për familjen e viktimës dhe apelon për kujdes maksimal në qarkullim. Këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi çdo pakujdesi mund të ketë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat